Pas më shumë se dy dekadave në arrati, shërbimet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut, e kanë lokalizuar dhe arrestuar Hamdi Bajramin, i njohur me nofkën “Komandant Breza”, për të cilin ishte lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar që nga viti 2003. Bajrami që në dokumentin e fletëarrestit në faqen e MPB figuron si Bajramovski ishte në kërkim me urdhër të Gjykatës Themelore Shkup II për vepra penale të kryera sipas nenit 237 të Kodit Penal, si dhe për vepra të tjera të rënda penale.
Sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme, aksioni është kryer nga pjesëtarë të Sektorit për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Më 02.06.2025, në zonën e Gazi Babës në Shkup, zyrtarët policorë nga Sektori për bashkëpunim ndërkombëtar policor e kanë privuar nga liria H.B. (43) nga Shkupi. Ai ishte i kërkuar me urdhër-arreste për vuajtje të një dënimi me pesë vjet burg për veprën penale ‘grabitje’l dhe një dënim me gjashtë vjet burg për veprën penale ‘prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekurzorëve’”.
Sipas MPB-së, ai ishte nën hetime edhe për disa vepra të tjera penale, për të cilat ishte caktuar masa e paraburgimit. Personi është dërguar në Institucionin Penal-Korrektues Burgu i Shkupit për të vuajtur dënimin.
Kujtojmë se Hamdi Bajrami, i njohur si komandant Breza, ka marrë pjesë në luftën e Kosovës dhe në konfliktin e armatosur në Maqedoni në vitin 2001.
Samir Mustafa /SHENJA/