Një 25-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi u kap në flagrancë duke transportuar një armë zjarri kallashnikov, të cilën dyshohet se do ta shiste.
Arrestimi u bë gjatë operacionit të koduar “Dark Trade”, në aksin rrugor “Pezë Helmës – Ndroq”, ku shtetasi E. H., banues në Kurbin, u ndalua teksa lëvizte me automjet. Gjatë kontrollit, policia gjeti në mjet armën e zjarrit me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Nga hetimet e mëtejshme është identifikuar edhe bashkëpunëtori i tij, shtetasi F. C., 19 vjeç, banues në fshatin Pezë, i cili është shpallur në kërkim. Policia po vijon punën për kapjen e tij.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Finalizohet operacioni i koduar “Dark Trade”.
Goditet një tjetër tentativë për të shitur armë zjarri.
Arrestohet një 25-vjeçar që lëvizte me automjet, në aksin “Pezë Helmës – Ndroq”, për të shitur 1 armë zjarri (kallashnikov).
Identifikohet dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Sekuestrohet arma e zjarrit me municion luftarak.
Si rezultat i punës operative dhe kontrolleve, të kryera nga Policia e Tiranës, me synim parandalimin e ngjarjeve kriminale, nëpërmjet evidentimit të shpejtë dhe goditjes së tentativave për të shitur armë zjarri, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve finalizuan operacionin e koduar “Dark Trade”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë, gjatë lëvizjes me automjet, në aksin rrugor “Pezë Helmës – Ndroq”, shtetasi E. H., 25 vjeç, banues në Kurbin.
Nga kontrollet në automjet u gjet 1 armë zjarri (kallashnikov) me municion, të cilën 25-vjeçari dyshohet se do ta shiste në zonën ku u kap.
Më tej, nga veprimet hetimore është identifikuar bashkëpunëtori i shtetasit E. H., shtetasi F. C., 19 vjeç, banues në fshatin Pezë. Vijon intensivisht puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.


