Rasti “Fortesa 2” u anulua për shkak se i akuzuari kryesor Goran Grujovski ka angazhuar avokat të ri. Lupço Shvërgovski është avokati i cili tani e tutje do ta mbrojë ish drejtorin e Drejtorisë së Pestë të DSK-së dhe pasi që sapo e ka marrë lëndën në duar, kërkoi më shumë kohë për t’u njoftuar me detajet e akuzës dhe gjykimit të deritanishëm.
“Seanca e sotme u anulua me kërkesën time dhe të kolegut Mile Petreski pasi që jemi angazhuar si mbrojtës në këtë lëndë. Na duhet kohë për tu përgatitur. Unë jam avokat gjithkund ku është zotëri Sasho Mijallkov pasi jam mbrojtësi i tij. Por në këtë lëndë më ka angazhuar Goran Grujovski…Nuk kisha mundësi ta shoh lëndën fare por tani në këtë afat që na i dha gjykata do të tentoj ta shqyrtoj”, tha Shvërgovski.
Аi nuk tregoi nëse edhe të akuzuar të tjerë në rastet e Prokurorisë Speciale kanë treguar interes që ai t’i mbrojë në gjykatë pas tërheqjes së avokatit Nikolla Dodevski. Prokurorja Lençe Ristvoska tha se do të respektojnë të drejtën e mbrojtjësit të ri për t’u njoftuar me lëndën dhe për tu përgatitur.
“Shpresojmë që prej shtatorit e tutje do të fillojnë të gjitha gjykimet. Në këtë rast, i akuzuari ka avokat të ri i cili duhet të njoftohet me rastin dhe ne nuk mundemi që tua mohojmë këtë të drejtë”, tha Ristovska.
Në sallën e gjykatës sot ishin edhe pesë femra të punësuara në arkivin e drejtorisë së pestë të DSK-së që akuzohen për ndihmë gjatë shkatërrimit të materialeve. Por erdhën edhe dëshmitarët e thirrur nga Specialja që ishin planifikuar të japin deklaratë sot. Por duke marrë parasysh rrethanat, katër dëshmitarët e planifikuar do të deklarohen në seancën e ardhshme të caktuar për 26 shtator.
Të punësuarit në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim ngarkohen për shkatërrimin e dokumentacionit zyrtar dhe falsifikimin e dokumenteve në të cilat figuronin të dhënat për përgjimin dhe shkatërrimin e pajisjeve me të cilat është bërë përgjimi. Për Goran Grujovskin Prokuroria Speciale kërkoi paraburgim, por Gjykata Penale vlerësoi se për momentin mjafton vetëm t’i merret pasaporta.
Ferikan Ilajzi – Arifi /SHENJA/

