Këshilli i Agjencisë së Medieve me mbivotim ka vendosur që të përmend Televizionin SHENJA, Telma dhe 24 Vesti në mesin e televizioneve që kanë thyer rregullat e raportimit, pa asnjë bazë për këtë. Përveç televizioneve Sitel, Kanal 5 dhe Alfa, disa anëtarë të Këshillit të Agjencisë së Medieve, në seancën e djeshme kanë insistuar që në këtë listë të futen edhe televizionet Shenja, Telma dhe 24 Vesti. Për këtë kanë këmbëngulur më shumë anëtarët shqiptarë, Milaim Fetai dhe Selver Ajdini.
Televizioni SHENJA kërkoi sot qëndrim nga kryetari i Këshillit Llazo Petrushevski, por ai nuk deshi të prononcohet para kamerave. Kërkuam qëndrim edhe nga anëtari shqiptar Milaim Fetai, por edhe ai nuk deshi të prononcohet.
Por ndaj kësaj pike të raportit të Agjencisë së Medieve ka reaguar sot Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë. SHGM vlerëson se tentimi i Agjencisë që t’i fusë me një thes televizionet Shenja, Telma dhe 24 Vesti, me televizionet të cilat i kanë shkelur rregullat, është tentim për ta relativizuar përgjegjësinë e mediave propagandistike të pushtetit aktual.
“Qëndrimet tona se Rregullatori mediatik është i partizuar dhe i politizuar. Anëtarët e Këshillit që e kanë miratuar përfundimin se të gjitha televizionet nacionale kanë qenë joprofesionale në raportimin e tyre, ndryshe nga monitoruesit e shërbimet profesionale të agjencisë , në mënyrë praktike i vërtetojnë lidhjet e tyre partiake dhe politike. Tre nga anëtarët e Këshillit janë propozuar nga shumica e deritanishme parlamentare VMRO-DPMNE dhe BDI”, tha kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.
Kundër vendimit të tillë politik të Agjencisë së Mediave ka qenë vetëm anëtari i propozuar nga SHGM në Agjencinë e Mediave, Zoran Fidanovski. Ai shpjegoi në detaje se në çfarë mënyre, me mbivotim, Këshilli ka futur në listën e shkelësve edhe mediat për të cilat nuk janë konstatuar shkelje nga Komisioni Mbikëqyrës i formuar para zgjedhjeve.
“Shokues dhe tronditës për mua si përfaqësues i SHGM-së , ishte tentimi i Këshillit që të futet në ujërat e politikës që në fund, për shkak të forcës së numrave edhe ja arritën. Çfarë ndodhi: Kryetari i Këshillit Llazo Petrushevski kërkoi që në shpjegimin e Raportit, të futet përfundim i konstruuar se ky trup ka marrë qëndrim se gjatë vitit të kaluar , pjesa më e madhe e televizioneve që rrezatojnë në nivel shtetëror edhe atë: Siteli, Tv Nova, Alfa, Kanal 5. Telma, 24 Vesti dhe Shenja, në punën e tyre kanë qenë të anshëm politikisht. Ky qëndrim është i motivuar politikisht dhe me të, duan të vënë shenjë të barabarësisë mes mediave për të cilat në monitorim nuk kanë qenë të konstatuara shkelje të standardeve gazetareske dhe profesionale, me ato të cilat kanë pasur dhjetëra paraqitje për shkelje të standardeve dhe është konstatuar gjuha e urrejtjes”, tha anëtari i Këshillit të Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audiovizuele, Zoran Fidanovski.
Televizioni SHENJA është vlerësuar për raportim të paanshëm dhe korrekt në të gjitha raportet paraprake të Agjencisë së Mediave dhe Komisionit për Mbikëqyrjen e punës së mediave 100 ditë përpara zgjedhjeve. Prandaj, Televizioni Shenja do të padisë Këshillin e Agjencisë së Mediave për këtë vendim, të cilin e konsideron si të motivuar politikisht me qëllim njollosjen e brendit televiziv, pa asnjë bazë juridike.