Fushata parazgjedhore për zgjedhjet lokale do të jetë shumë e ashpër, pasi do të vë në spikatë të gjithë arsenalin që e posedojnë partitë politike. Kështu vlerëson analisti politik Sefer Tahiri, duke i cilësuar këto zgjedhje si shumë të rëndësishme edhe për partitë politike shqiptare por edhe për ato maqedonase. Ai shtoi se garën do ta bëjë më të ashpër fakti që në këto zgjedhje forcat politike do të maten nëpërmjet garuesve që kanë funksione të larta nëpër parti, duke përfshirë këtu edhe dy liderë politik.
“Beteja që do të zhvillohet, nuk është thjeshtë një betejë e matjes apo përzgjedhjes së alternativave politike të cilat u ofrohen qytetarëve, por do të jetë një betejë e matjes së forcave politike reale të cilat i posedon, sepse tash në këto zgjedhje BDI do të vendos a është një parti e cila ka atë bagazh politik të cilin e kishte në zgjedhjet e kaluara dhe do të shihet se sa është potenciali i partive tjera dhe konsideroj se ajo që është e rëndësishme është se nga këto zgjedhje dikush duhet të dalë i humbur në kuptimin e deklarimit të përgjegjësisë”, deklaroi Sefer Tahiri, analist politik.
Ndërkaq profesori universitar Nano Ruzhin, e cilëson këtë si një fushatë klasike, përplasje në mes të dy boshteve të vlerave. Në njërën anë sipas tij, është fushata e partive në pushtet të cilët do të fokusohen në vlerat pro-europiane, dhe nga ana tjetër fushata e VMRO-DPMNE-së, e cila drejtohet kah vlerat nacionaliste.
“Do të jetë fillimisht një fushatë e një favorite, siç janë partitë politike që janë aktualisht në pushtet, të cilat shkojnë me vlera proevropiane, vlera që mund të gjinden edhe ne raportin e Pribesë, do të flitet për shtetin e drejtë, për sundimin e lirisë, lirisë së mediave dhe kështu me radhë. Nga ana tjetër kemi fushatën e DPMNE-së, e cila do të jetë e drejtuar kah vlerat nacionaliste, dhe para se gjithash do të insistohet për një mjegullim, e ajo është se nuk duhet të vijnë migrantë në shtet, do të flitet për marrëdhëniet ndëretnike, për shqiptarizim, për shitje të gjuhëve, ndoshta do ta përmendin edhe platformën e ashtuquajtur të Tiranës”, tha për TV SHENJA, analisti politik Nano Ruzhin.
Analistët vlerësojnë se doza e manipulimit me qytetarët në këto zgjedhje do të jetë më e ulët, pasi ata vlerësojnë se qytetarët tashmë kanë një vetëdije politike e cila sipas tyre, është në suaza të normalitetit. Ata po ashtu vlerësojnë se edhe institucionet sado pak do të kenë një optimalitet sa i përket respektimit të votës së lirë.
Ajnur Bafqari

