Njohësit e rrethanave politike vlerësojnë se ndërmjetësimi dhe ndihma e ndërkombëtarëve në formimin e Qeverisë së re, do të kontribuonte për një Qeveri më stabile. Ata theksojnë se bashkësia ndërkombëtare edhe deri më tani ka marrë pjesë aktive në zgjidhjen e krizës në vend dhe se është e rëndësishme që Qeveria e re të kenë mbështetjen e tyre. Gazetari Isen Saliu thotë se në kohë krizash dihet se Maqedonia nuk ka kapacitetin e mjaftueshëm për t’i tejkaluar ato dhe se përvoja ka dëshmuar se kur ndërkombëtarët kanë ndërhyrë seriozisht dhe fuqishëm atëherë janë gjetur rrugëdalje edhe kur janë dukur të pamundshme.
“Faktori ndërkombëtar e ka peshën e vet te opinioni në Maqedoni, posaçërisht te opinioni shqiptar. Shifet se edhe forcat politike të cilat kanë qëndrime anti bashkësisë ndërkombëtare dhe anti-perëndimor janë dobësuar edhe te maqedonasit. Për këtë arsye tani është krijuar një terren i mirë që ndërkombëtarët të marrin punët në duart e veta dhe edhe kësaj radhe të ndihmojnë që kjo krizë të tejkalohet deri në zgjedhjet e ardhshme të cilat shpresojmë se do të rezultojnë më të qarta dhe do të krijohet një situatë më e qartë politike”, tha gazetari Isen Saliu.
Saliu më tej ka shtuar se në bazë të gjitha indikacioneve duket se ndëkombëtarët janë të interesuar që në Maqedoni të kemi një Qeveri teknike, sepse ajo Qeveri do të ishte e qendrueshme që të përballet me sfidat që e presin Maqedoninë gjatë kësaj periudhe. Ndërkohë, analisti Bojan Mariqiç, thotë se duke pasur parasysh faktin se bashëksia ndërkombëtare edhe deri më tani në mënyrë aktive ka marrë pjesë në procesin e zgjidhjes së krizës do të duhej edhe tani të kërkohet një zgjidhje stabile, pasi situata është e tillë.
“Do të ishte mirë që të gjindet një zgjidhje stabile e cila nuk do të thellonte krizën politike. Nuk e di a do të nënkuptonte kjo intervenim apo propozim të drejtëpërdretjë për ndonjë koalicion dhe nuk e di a do të ishte e mirë kjo megjithatë në çdo rast duhet të respektohet vullneti i shumicës. Mendoj se duhet të vlejnë ndryshimet, posaçërsisht ato që ndodhën në rritjen e votave të të gjitha partive opozitare edhe LSDM ka fituar 160 mijë vota më shumë, BESA është tash më fuqia e dytë politike tek shqiptarët dhe hynë në atë katërshën e Përzhinos, kështu që punët ndryshojnë dhe ky ndryshim do të duhej të reflektohet edhe tek institucionet”, tha analisti Bojan Mariqiç.
Ai po ashtu ka thënë se të gjitha partitë, përveç VMRO DPMNE-së, janë deklaruar për vazhdimin e mandatit të PSP, për implementimin e reformave të Pribes dhe reformave tjera prioritare dhe për të gjitha pikat tjera që kanë qenë pjesë e Marrëveshjes së Përzhinos dhe të cilat nuk janë zgjidhur, prandaj sipas tij, është e rëndësishme që Qeveria e re ti pranoj këto obligime si obligime të Qeverisë, posaçërisht vazhdimin e mandatit të PSP.