Analistët politik vlerësojnë se Kongresi i BDI-së i mbajtur më 20 dhjetor kishte një karakter formal dhe ishte i domosdoshëm për funksionimin e partisë, ndërsa politizimi i temës së karakterit unitar të shtetit nga BDI-ja konsiderohet i panevojshëm dhe i diskutueshëm.
Analisti Ilir Luma gjatë emisionit “Debat në SHENJA”, deklaroi se Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) të shtunën ka mbajtur një Kongres të detyruar, pavarësisht nëse data ishte e paraparë apo jo në kalendarin partiak. Ai theksoi se në rend dite, si pikë e parë, duhej të përfshihej analiza e punës së deriatëhershme të partisë, si dhe që kjo analizë të ishte pjesë e rezolutës përfundimtare të Kongresit.
Duke folur për rezolutat e miratuara, ai tha se në rezolutën e parë, ku potencohet karakteri unitar i shtetit, ai tha se BDI-ja ka anashkaluar parimet mbi të cilat u themelua kjo parti.
Ilir Luma, analist
“Një farë forme, BDI-ja filloj të aklimatizohet konform kushtetutës aktuale. Veprimi i mëtutjeshëm i BDI-së, gjithsesi sipas rezolutave të aprovuara, do të jetë në funksion të respektimit të kushtetutës aktuale. Unë nuk mund të them “devijoi” termin se është term i rënd, por anashkaloi disa parime themelore për çka u themelua kjo parti si trashëgimtare si një subjekt që doli nga një konflikt ku mbaroi, ceket edhe në rezolutë, me Marrëveshjen e Ohrit”.
Ndërkaq, sipas analistit Qenan Aliu, teksti i rezolutave është një “copy paste” i retorikës moderne politike. Ai shtoi se nga numri i përgjithshëm i shteteve të regjistruara në Kombet e Bashkuara, shumica dërrmuese e tyre kanë karakter unitar, gjë që, sipas tij, e bën të panevojshëm politizimin e kësaj çështjeje nga ana e BDI-së.
Qenan Aliu, analist
“Unë, kam bërë edhe një ditë një qasje të shkurt, unë mendoj se, BDI është partia e vetme në historikun e pluralizmit në Maqedoni e cila këtë tezë të karakterit unitar të shtetit e ka etabluar në mënyrë brutale dhe infantile. Pra, siç tha edhe zotëri Luma, çdo kryeministër dhe çdo qeveri angazhohet për karakterin unitar të shtetit. Por këtë nuk ka asnjë justifikim politik që ta bëjë një parti serioze si BDI-ja për t’u thirrur në karakterin unitar të shtetit”.
Përndryshe, termi “unitaritet” në politikë, i referohet ruajtjes së karakterit të shtetit si një entitet i bashkuar dhe i pandashëm. Koncepti thekson se shteti nuk duhet të ndahet gjeografikisht ose etnikisht, dhe se sovraniteti i tij i përket të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë, pa u ndarë në territore autonome apo federale bazuar në përkatësinë etnike.
Teuta Buçi /SHENJA/


