Komisioni kuvendor për financa dhe buxhet përfundoi mbrëmë shqyrtimin e amendamenteve të parashtruara për propozim buxhetin e Qeverisë për vitin 2018. Gjatë shqyrtimit të amendamenteve të parashtruara nga opozita, raporton SHENJA, deputetët e shumicës parlamentare dhe ministria e Financave ka parë të arsyeshme të pranojë vetëm dy nga gjithsej 72 amendamentet e parashtruara nga Lëvizja BESA të cilat bashkërisht pësojnë rreth 15 milion denarë. Prej tyre, 12 milionë denarë duhet të ndahen për deponinë e Strugës dhe 3 milionë denarë për park me lojëra për fëmijë në Nerez të Shkupit.
Ndërkohë, nga gjithsej 207 amendamentet e VMRO-DPMNE-së, janë pranuar katër amendamente me vlerë të përbashkët rreth 20 milion denarëve. Prej tyre, 5 milion denarë janë për rritjen e subvencioneve për koftorë me paleta, 10 milion denarë për Zonën teknologjike ekonomike në Kumanovë, dhe 5 milion denarë për nga një kanal për ujitje në Shtip dhe Negotinë.
Sipas propozim buxhetit fillestar, harxhimet ishin paraparë të jenë në vlerë prej 211.745 milionë denarëve. Me amendamentet e pranuara, harxhimet rriten për pothuajse 0,02 për qind.
Për shumicën parlamentare ishin të papranueshme shumë amendamente me të cilat kërkohej që në Buxhetin e vitit 2018 të ndahen mjete për rikonstruimin dhe ndërtimin e çerdheve për fëmijë, shkollave të mesme dhe fillore por edhe sallave sportive në vendbanimet shqiptare. Megjithatë, edhe në Buxhetin e vitit 2018, të propozuar nga Qeveria e Zoran Zaevit, nuk parashikohen mjete për problematikat të cilat vendbanimet shqiptare i kanë me dekada. Një ndër to është edhe mosparashikimi i të hollave për realizimin e projektit të shumëpritur të rrugës Shkup-Bllacë.
Edhe në këtë propozim Buxhet, universiteti “Shën Kirili dhe Metodij” merr dyfish më shumë mjete sesa Universiteti i Tetovës dhe Universiteti “Nënë Tereza” bashkë. Buxheti i vitit 2018 poashtu le shumë komuna shqiptare pa asnjë qindarkë për kulturë. Edhe pse Qeveria aktuale ka premtuar zgjidhje të problemit me mbrojtjen e mjedisit, në Buxhetin për vitin e ardhshëm ka paraparë vetëm 0,4 për qind për këtë çështje, ose 1,7 milion euro, prej të cilave vetëm 635 mijë euro janë për uljen e ndotjes së ajrit.
Pas përfundimit të shqyrtimit të amendamenteve në Komisionin për Financa dhe buxhet, tani diskutimi për propozim buxhetin e Qeverisë për vitin 2018 do të kalojë edhe në Komisionin juridik ligjvënës dhe më pas Kuvendi e kthen në Qeveri, e cila më pas duhet ta dorëzojë përsëri në Kuvend për shqyrtim dhe miratim në seancë plenare.
Mefail Ismaili /SHENJA/