Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, Angela Aggeler është ndër diplomatet e karrierës që është tërhequr nga detyra si pjesë e vendimit të fundit të presidentit Donald Trump, i cili përfshiu ndryshimin e ambasadorëve në rreth 30 shtete. Këtë e kanë konfirmuar për MIA-në, nga Ambasada e SHBA-së në Shkup, nga ku shtojnë se Ambasada do të vazhdojë të funksionojë normalisht gjatë procesit të tranzicionit.
AMBASADA E SHBA-SË NË SHKUP
“Jemi thellësisht mirënjohës ndaj ambasadores Aggeler për shërbimin e saj në Maqedoninë e Veriut gjatë tre viteve të fundit dhe jemi të përkushtuar për të siguruar një tranzicion të qetë dhe efektiv që do t’i japë prioritet misionit të SHBA-ve dhe marrëdhënieve tona diplomatike”.
Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, po zëvendëson 30 diplomatë të karrierës nga pozita ambasadorësh dhe poste të tjera në ambasada.
Departamenti i Shtetit njoftoi se bëhet fjalë për një proces standard në çdo administratë. Siç u theksua, ambasadori është “përfaqësues personal i presidentit dhe është e drejtë e presidentit të sigurojë që në këto vende të ketë individë që e promovojnë agjendën e tij ‘Amerika e Para’”.
Më së shumti nga këto ndryshime është prekur Afrika, në vendin e dytë është Azia, me ndryshime të ambasadorëve në gjashtë vende, ndërsa në Evropë, ndryshime do të ketë në Armeni, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Sllovaki.
Samir Mustafa /SHENJA/


