Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu sot mbajti një konferencë për media, ku deklaroi se për një vit janë hapur procese të rëndësishme në disa sektorë. Ai theksoi se si ministër i Shëndetësisë, është pjesë e kësaj përbërjeje pak më shumë se një muaj, por edhe kjo periudhë ishte e mjaftueshme për t’ia filluar vendosjen e bazave për një qasje sistematike, të bazuar në të dhëna, zgjidhje digjitale dhe menaxhim që sjell rezultate. Ministri gjithashtu thotë se digjitalizimi nuk zëvendëson përgjegjësinë, por është vegël për matje, ndjekje dhe përmirësim të saj.
AZIR ALIU, MINISTËR I SHËNDETËSISË
‘’Portali që kemi, mundësia që kemi për qytetarët për të paraqitur parregullsi në sistemin shëndetësor, kemi 12 tekste të shënuara në gjuhën shqipe dhe 27 në gjuhën maqedonase. Kryesisht tekstet janë për keqpërdorim të sistemit apo një të shërbimeve jo reale ose shërbimeve të cilët aspak nuk janë dhënë’’.
Ministri Aliu ka premtuar se Qeveria qytetarët po i ndihmon jo vetëm në formë qëndrimesh, por edhe në vendime të përditshme që përmirësojnë qasjen në terapi, ilaçe dhe kujdes mjekësor.
AZIR ALIU, MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Si Qeveri, realizuam rritje të ndjeshme të pagave të punonjësve shëndetësorë – me 4 815 denarë neto për të gjithë punonjësit e shëndetësisë. Për infermieret, kjo rritje është 6 200 denarë. Kjo masë përfaqëson vlerësim real të punës së stafit mjekësor, si dhe motivim shtesë që ata të qëndrojnë në vend dhe të japin kontributin e tyre profesional në forcimin e sistemit tonë shëndetësor. Ne zgjidhëm me sukses statusin e paqartë të specializantëve privatë që zgjaste prej dekadash”.
Aliu thekson se bazuar në vendimin e miratuar të Qeverisë për punësimin e 600 specializantëve privatë, faza e parë tani është gati e përfunduar. Ku janë punësuar 300 specializantë të rinj në institucionet shëndetësore publike të vendit edhe faza e dytë për 300 specializantë shtesë ka filluar. Aliu ndërkaq cek se do të vazhdojnë me mbështetjen e Qeverisë për të zbatuar bashkë masat dhe reformat në fushën e shëndetësisë, nuk ndërtojnë sistem për ministrat, por për njerëzit. /SHENJA/