Shqiptarët e mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje jo si subjekt politik por si lëvizje që sjell ndryshim, ndërsa ne shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Luginës së Preshëvës, mbështetjen do t’ua kthejmë duke u kujdesur për qytetarët dhe jo për individët në politikë. Kështu është shprehur kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati potencial për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Televizionin Shenja, e cila është realizuar menjëherë pas takimit që ai pati me drejtuesit e LDK-së dje në Prishtinë. Kurti thotë se bisedimet e djeshme kanë qenë shpresëdhënëse dhe me Isa Mustafën e Vjosa Osmanin janë dakorduar për të sjellë ndryshim real duke filluar nga reduktimi i numrit të ministrave dhe zëvendës ministrave e deri tek mënyra e qeverisjes.
Albin Kurti
“Shqiptarët e ndjejnë se kanë nevojë për lëvizje, kanë nevojë për të ecur përpara, jo për parti që ndajnë buxhete e poste por si tortë për të mos thënë për si plaçkë, por për lëvizje politike kombëtare e cila dëshiron ta ngrit lartë mesataren e shqiptarëve në çdo fushë, ti faktorizojë ata në Ballkan, t’ua rris të drejtat e tua plotësojë nevojat e jo vetëm të ngrisë individë të cilët me ngritjen e tyre shkëputen nga mesatarja e cila vazhdon të bie. Tek ne e shohin një shans të tillë, të cilën ne do ta zbatojmë e do t’ia shpërblejmë popullit këtë mbështetje që po na jep, sepse kurrë nuk do të ndahemi prej tij e gjithnjë do të rikthehemi tek ai”
Një nga planet e para Kurti tha se është vetingu në gjyqësor dhe prokurori dhe një veting i pjesshëm në organet dhe institucionet e sigurisë në Kosovë që do t’i paraprijë nxjerrjes para drejtësisë të të gjithë ish funksionarëve që kanë keqpërdorur shtetin dhe pozitën zyrtare.
Albin Kurti
“Sektori i sigurisë ka nevojë për veting edhe policia dhe intelegjenca, por jo në përmasën e tyre, jo në mesën në të cilën këtë do ta bëj në prokurori dhe në gjyqësi. Prej gradës le të themi major e lartë, në pozita udhëheqëse, në rangje duhet të ketë edhe aty veting, nga një panel i cili natyrisht që do të ketë nevojë për një ligj në Kuvendin e Republikës për ta bërë vetingun”
Në intervistën e dhënë për televizionin Shenja kryeministri i ardhshëm i Kosovës flet edhe për bisedimet me Serbinë, sqaron reciprocitetin ndaj Serbisë, raportet e reja të partneritetit me faktorin ndërkombëtarë në vend të servilizmit dhe armiqësive që kanë krijuar qeverisjet e kaluara, si dhe për hapat që do t’i ndërmarrë për zbardhjen e rastit të Kumanovës më 9 dhe 10 maj të vitit 2015.
Arben Zeqiri /SHENJA/
https://www.youtube.com/watch?v=Qj4pBktwDN4