10 shtetas të Maqedonisë së Veriut, 9 nga Shkupi dhe 1 nga Velesi janë arrestuar në aksionin e policisë që u organizua të dielën në bashkëpunim me Interpolin dhe Europolin. Ministria e Punëve të Brendshme sot informoi se grupi i organizuar kriminal është formuar nga fundi i vitit 2023 deri në shkurt 2025, në territorin e RMV-së dhe Republikës së Serbisë dhe përbëhej nga shtetas maqedonas dhe serbë, qëllimi i të cilit ishte prodhimi dhe lëshimi në qarkullim i parave të falsifikuara.
MPB
“Në një banesë në zonën e Shkupit, paratë e falsifikuara në prerje të ndryshme prodhoheshin duke përdorur makineri speciale të prodhuara më parë me pllaka të gdhendura që imitonin elementet e sigurisë në para. Grupi i organizuar kriminal paratë e falsifikuara të prodhuara në këtë mënyrë i lëshonte në qarkullim në sistemet e pagesave të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë dhe një pjesë e madhe e tyre përfundonte edhe në sistemet e pagesave të Austrisë, Gjermanisë, Rumanisë, Sllovenisë, Kroacisë dhe Kosovës”.
Nga atje thonë se në kuadër të aksionit në territorin e vendit në bazë të urdhëresave të marra paraprakisht nga Gjykata Themelore Penale, janë kryer 23 bastisje në disa lokacione në zonat e Shkupit, Velesit dhe Prilepit te persona juridikë dhe fizikë dhe janë gjetur shuma të mëdha të parave dhe gjësende të tjera.
MPB
“Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar sende dhe para të gatshme që do t’i nënshtrohen ekspertizës, përfshirë: rreth 500.000 euro, 25.000 dollarë amerikanë, 500 franga zvicerane, 1.800 sikla izraelite, 500 kuna kroate, 10.000 lekë shqiptare, 1.000 krona suedeze dhe 25.000 rubla. Gjithashtu u gjetën një makinë CNC për të bërë kallëpe dhe pulla që përdoreshin për të bërë para të falsifikuara, kopje të pjesëve të kartëmonedhave, 4 lloje armësh, plumba, qese me lëndë pluhuri të bardhë dhe kafe, telefona, karta SIM, USB, detektor për kartëmonedha të falsifikuara, numërues parash dhe laptopë që do të jenë objekt i ekspertizës”.
Në kuadër të operacionit të zhvilluar në Republikën e Serbisë janë arrestuar gjashtë persona, anëtarë të grupit të krimit të organizuar dhe janë gjetur dhe sekuestruar rreth 153.700 euro.
Të dielën në vend është zhvilluar një aksion i madh policor në bashkëpunim me Interpolin dhe Europolin për kapjen e pjesëtarëve të një grupi kriminel që merrej me falsifikimin e parave.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/