Pozita dhe opozita shqiptare kanë vazhduar të kërkojnë te njëra tjetra fajtorin për mos zbatimin e gjuhës shqipe. Gjatë seancës së sotme për pyetje të deputetëve të opozitës, deputetja e BDI-së Rina Ajdari, duke folur për protestën e fundit të studentëve për provimin e jurisprudencës, ka pyetur zëvendëskryeministrin Bekim Sali se pse, nuk ishit i pranishëm te kjo protestë, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e çështjes. Ajo tha se, koalicioni VLEN është përgjegjëse për moszbatimin e gjuhës.
MARKETING
Rina Ajdari, Fronti Evropian
“Kur një e drejtë që është e shkruar në ligj kërkohet në rrugë, atëherë problemi nuk është te studentët, problemi është te institucionet, problemi është te ju. Dhe ktë radhë institucionet nga kjo qeveri pa legjitimitet etnik, e ju si përfaqësues shqiptar është dashur me kohë të merrni përgjegjësi nëse ju cenohen të drejtat e shqiptarëve në vend. Në fund të fundit çfarë kuptimi ka përfaqësimi politik, nëse qytetarët ende duhet të dalin në protestë për të drejtat e tyre elementare”.
Ndërkaq, Sali ju përgjigje se 22 vite, BDI nuk ka dëgjuar problemet e qytetarëve dhe nuk ka zgjedhur çështjet që janë të rëndësishme me shqiptarët.
Bekim Sali, zëvendëskryeministër i RMV-së
“Për informimi tuaj dhe të opinionit, studentët kanë qenë të pranuar nga unë, ditën e parë kur kanë marrë iniciativën me nënshkrimet dhe shqetësimi i tyre është dëgjuar dhe në mënyrë institucionale jemi përgjigj dhe kemi marrë masat e duhura për ta zgjidh atë problem dhe ai problem do të zgjidhet. Studentët shqiptarë do ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe”.
Studentët e tre universiteteve shqiptare në vend tash më disa muaj po kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Kërkesa e tyre më 6 prill i adresuan edhe përmes një proteste para Ministrisë së Drejtësisë, ku bën thirrje për respektim të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, respektim të Kushtetutës dhe drejtësi.
Teuta Buçi /SHENJA/

