Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev mohon të ketë pranuar platformën e partive shqiptare. Madje Zaev thotë se platforma nuk ka qenë as temë qendrore e bisedës me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti. Sipas Zaev, 80% e bisedave me Ahmetin kanë qenë rreth asaj se si do të kthehen paratë e qytetarëve, dhe nuk është bërë fjalë për ndonjë platformë.
“80 për qind e asaj që kemi biseduar unë dhe Ahmeti dhe grupet tona të punës ishte se si do t’i kthejmë paratë e vjedhura prapa, si do ti rrisim pagat minimale… Budallallëqe janë ato që fliten se njerëzit do të gjobiten nëse nuk flasin shqip”, tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Në intervistë për televizionin “24Vesti”, Zaev tha se pozicionet e LSDM-së janë të qarta, nuk do të pranojnë ndryshimin e Kushtetutës me qëllim ndryshimin e himnit, flamurit, stemës dhe të tjera.
“Ne nuk kemi negociuar për këto dokumente. Këto dokumente mund të jenë tërësisht, pjesërisht, ose fare mos të jenë pjesë e programit qeveritar. Në këto rrethana, çfarë duhet të dimë, do të thotë në atë platformë që u publikua, duhet ta dini, unë gjithmonë flas hapur: unë personalisht jam kundër ndryshimit të Kushtetutës për shkak të himnit, flamurit, stemës ose të ngjashme”, theksoi Zaev.
Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti nuk deshi as të komentojë rreth platformës shqiptare, dhe tha se kjo platformë nuk duhet bërë temë kryesore.
“Tash unë nuk kam ardhur këtu për të komentuar platforma, dhe nuk dua që tema kryesore të bëhen tani platformat, të bëhen prononcimet e politikave ditore. Vendi duhet të dalë nga kriza. Duhet seriozisht të gjithë të angazhohemi që kjo krizë sa më shpejtë të përfundojë”, tha kryetar i BDI-së, Ali Ahmeti.
Por nënkryetari i kësaj partie, Nevzat Bejta thotë se Zoran Zaev e pranoi tërësisht zyrtarizimin e gjuhës shqipe.
“E vërteta është se platforma, apo më mirë të themi deklarata e partive politike shqiptare është e pranuar, dhe ne jemi subjekt në vete në Republikën e Maqedonisë. Edhe ligji për gjuhën shqipe është i pranuar dhe shqiptarët do të flasin shqip”, tha nënkryetari i BDI-së, Nevzat Bejta.
Kujtojmë se presidenti Ivanov nuk ia dha mandatin Zaevit pikërisht me arsyetimin se e ka pranuar platformën shqiptare, e cila sipas tij e cënon shtetin unitar, sovranitetin dhe pavarësinë e Maqedonisë.
Benjamin Arifi /SHENJA/
Ahmeti: Nuk duhet të flasim për platformën… by tvshenjaofficial