Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti kërkon ndihmën e Shqipërisë dhe Kosovës, për siç thotë ai, mbrojtjen e gjuhës shqipe. Nga vrapçishti Ahmeti tha se do t’i bllokojnë rrugët e Maqedonisë së Veriut dhe shqiptarët do ta mbrojnë gjuhën shqipe që e fituam me gjak e sakrifice.
ALI AHMETI, KRYETAR I BDI-SË
“Vrapçishti dhe mbarë populli shqiptar do ta mbrojë gjuhën shqipe që me gjak e sakrificë është fituar. Shqiptarët nuk do ta tolerojnë këtë. Do t’i bllokojnë rrugët e Maqedonisë së Veriut. Presim që gjatë mbledhjes së përbashkët me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Qeveria e Republikës së Kosovës ta ngrisë çështjen e gjuhës shqipe. Reagim presim edhe nga të gjitha partitë në Kosovë, siç presim reagim edhe nga Tirana”.
Ndërkaq, zëvendës kryeministri Izet Mexhiti ju ka përgjigjur se Marrëveshja e Ohrit nuk cenohet por po avancohet. Në intervitën për RTK-në, Mexhiti u shpreh se qeveria aktuale nuk po rrezikon përdorimin e gjuhës shqipe, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve dhe në përgjithësi Marrëveshjen e Ohrit, por po i avancon ato.
Izet Mexhiti, zv/kryeministër
“Të gjitha këto akuza janë dështime të punëve gjysmake të cilat i ka lënë Ali Ahmetit, që e kanë problemizu gjuhën shqipe në komisionin e Venedikut ministrat e tij, mendimet negative për balancuesin janë me shkrim të ministrave të tij. Po mundohet të krijon një percepcion të gabueshëm. Ndonëse decentralizimi është shtyllë e rëndësishme e Marrëveshjes së Ohrit, Maqedonia ka mbetur si shteti më i centralizuar në regjion”.
Të hënën në Prishtinë do të mbahet mbledhja e përbashkët mes qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Emine Ismaili /SHENJA/