SHBA ndërmorën një hap të ri të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit duke futur në listën e zezë ish zëvendëskryeministrin Artan Grubi dhe gjyqtarin Enver Bexheti, deklaroi ambasadorja e SHBA-së në vend Angela Ageler në pres konferencë për media në të cilën bëri të ditur se Grubi dhe Bexheti janë futur në listë të zezë për shkak të ndërhyrjeve politike dhe tentativave për denigrim të gjyqësorit në vend. Ajo theksoi se atyre dhe familjeve të tyre u ndalohet hyrja në SHBA dhe se në Uashington po shqyrtohen sanksione shtesë.
ANGELA AGELER AMBASADORE E SHBA-SË NË RMV
“Shpresoj se kjo do të tregojë se SHBA-të përdorin të gjitha mjetet e mundshme për t’i vënë para përgjegjësisë këta persona, aktivitetet kriminale të të cilëve minojnë sigurinë, stabilitetin dhe qeverisjen e mirë në Maqedoninë e Veriut. Sipas ligjit të SHBA-së ne duhet të identifikojmë individët për të cilët ka dëshmi se kanë kryer dëme të konsiderueshme qeveritare dhe korrupsion në lidhje me rolet e tyre të kaluara ose të tanishme. Ata që minojnë sundimin e ligjit për përfitime personale, në kurriz të popullit të Maqedonisë së Veriut, duhet të kuptojnë se korrupsioni ka pasoja”.
E pyetur lidhur me detajet dhe dëshmitë që i ka Departamenti i Shtetit Amerikan për Grubin dhe Bexhetin tha se ato informacione nuk do t’i ndajnë por theksoi se nëse institucionet kompetente të RMV-së do të dëshironin t’i gjejnë, mund t’i gjejnë shumë lehtë.
ANGELA AGELER AMBASADORE E SHBA-SË NË RMV
“Nuk do të hyja në detaje, ne nuk e ndajmë atë informacion, të dhënat janë nga këtu dhe në dispozicion të Uashingtonit. Nëse mundemi ne t’i gjejmë dëshmitë, këtë mund të bëjnë edhe autoritetet maqedonase. Kjo është kështu për shkak të “parimit të privatësisë personale”. Pres që institucionet maqedonase t’i shqyrtojnë këto gjetje sepse korrupsioni është epidemi në Maqedoni dhe kancer i kësaj shoqërie”.
Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbajnë bëjnë përpjekje që personat e përfshirë në korrupsion dhe shpresoj që gjyqësori dhe forcat e rendit në këtë vend të bëjnë të njëjtën gjë. Këtë e meritojnë qytetarët e këtij rajoni”, tha Ageler.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/