Autoritetet ende nuk e kanë zbuluar se kush janë sulmuesit e Branisllav Sinadinovskit, themeluesi i Bashkësisë Fetare të Shqiptarëve Ortodoksë në Maqedoni edhe pse kanë kaluar pothuajse 5 muaj që kur ka ndodhur ky incident.
Sinadinovski, i cili nga sulmi mori lëndime në kokë dhe trup, me fytyrë si dhe 6 dhëmbë të thyer thotë për Almakos se as nga Prokuroria dhe as nga policia nuk ka shkuar askush që të marrë deklaratën e tij. E vetmja që i ka dhënë mbështetjen, thotë ai, ka qenë Ambasada Amerikane.
“Askush, as nga policia, as nga prokuroria.Nuk ka ardhur askush. Nuk kam asnjëlloj informacioni. Unë kurohem tani. Unë nuk jam kompetent për të bërë këtë vlerësim, pyesni institucionet nëse pas 5 muajsh është serioze apo jo që nuk dihet asgjë për sulmuesit.”
Zëvendësministi i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu, I cili menjëherë pas sulmit e vizitoi Sinadinovskin, thotë se Sektori për Punë të Brendshme është duke hetuar disa pista ku ka dyshime, por nuk precizon se cilat janë ato pista për shkak se hetimet ende nuk kanë përfunduar.
“Për rastin e B.S policia ka informuar Prokurorinë e shtetit dhe në bashkëpunim me këtë institucion ka koordinim dhe vazhdohet me ndërmarrjen e masave për pistat ku dyshohet. Se cilat janë pistat nuk mund ta bëjmë publike, procedura e hetimit ende s ka përfunduar”
Nga Prokuroria Themelore Publike thonë se pasi kanë dhënë urdhër për mbledhjen e provave dhe dëshmive, janë në pritje të rezultateve pas të cilave do të veprojnë në përputhje me kompetencat ligjore.
“Sapo të verifikohet identiteti i kryerësve të kësaj vepre penale pritet edhe ngritja e padisë në Prokurori në bazë të të cilës do të ndërmerren hapat duhura në pajtim me kompetencat ligjore.”
Sipas një deklarate që Sinadinovski kishte dhënë për mediat në vend, pak kohë pas sulmit që i kishin bërë, agresorët kanë pasur për qëllim eliminimin fizik të tij.
Ai u sulmua fizikisht në afërsi të banesës së tij, në lagjen Aerodrom të Shkupit.
Branisllav Sinadinovski për opinionin u bë i njohur vite më parë pas deklaratës se është shqiptar etnik dhe angazhohet për krijimin e një Bashkësie Fetare të Shqiptarëve Ortodoksë në Maqedoni, ndërsa prejardhja e tij është nga Beliçica e Rekës së Epërme nga rajoni i Mavrovës.
Përgatiti: Evi Shkopi
Almakos.com