Dymbëdhjetë gushti nuk është thjesht një datë në kalendar për banorët e Lubotenit – është një plagë e hapur që rrjedh dhimbje, një kujtim i errët që nuk shuhet as nga koha, e as nga harresa. Në agimin e asaj dite të përgjakshme të vitit 2001, qielli mbi Luboten u nxi nga tymi i shtëpive të djegura dhe britmat e njerëzve të pafajshëm – dhjetë jetë u këputën pa mëshirë, në mes tyre edhe një engjëll gjashtëvjeçar, Erxhan Aliu. Viktimat e tjera të masakrës së Lubotenit ishin edhe Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami dhe Atulla Qaili.
Fshati u zgjua në terror, në zhurmë armësh e zjarr shkatërrues. Në vend të mëngjesit të zakonshëm, Luboteni u përball me një stuhi gjakderdhjeje, një akt që nuk kursente as të moshuar, as fëmijë, as gra, e as burra. Ai mëngjes u bë akti më i errët i një tragjedie njerëzore, ku uniformat që duhej të mbronin jetën, e shkelën atë me çizmet e urrejtjes.
Sot, 24 vjet më pas, kujtimi i tyre jeton në lotët e nënave, në heshtjen e varreve, në britmat e pashprehura që ende jehonojnë në rrugicat e fshatit. Luboteni nuk harron .Sepse drejtësia nuk është vetëm dënim, është kujtesë. Dhe kujtesa është rezistencë.
E gjithë kjo masakër makabre ndodhi në kohën kur ministër i brendshëm ishte Lube Boshkovski. 24 vite më parë masakra e cila mori jehonë ndërkombëtare u krye vetëm një ditë para nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit. Në këtë aksion të policisë, po ashtu u dogjën 14 shtëpi të fshatit, ndërsa u arrestuan dhe keqtrajtuan mbi 100 banorë të tjerë. Arsyetimi për operacionin ishte se në fshat ishin të pranishëm pjesëtarë të UÇK-së.
Rasti i Lubotenit ishte një ndër rastet e vetme që u proceduan dhe u gjykuan nga Tribunali Ndërkombëtarë për Krime Lufte, me ç’rast për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë në Hagë u dënua ish-pjesëtari i lartë i forcave të sigurisë maqedonase, Johan Tarçullovski. Ndërsa i akuzuari i parë, ish-ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski u lirua nga akuza. Johan Tarçullovski u dënua nga Gjykata e Hagës me 12 vjet burg për vrasje, thyerje të ligjeve të luftës, torturë dhe shkatërrim të pasurisë, por ai u lirua pas 8 viteve. Në vitin 2013, Johan Tarçullovski u lirua nga burgu. Ai u kthye në Maqedoni me avion qeveritar në atë kohë dhe u prit si hero nga autoritetet shtetërore, madje nëpër billdordet në qytet, u vendos edhe fotografia e tij me mbi shkrimin , “Mirë se erdhe Johan”. Kjo pritje zyrtare dhe festimi publik i një të dënuari për krime lufte, u përjetua si një fyerje e rëndë dhe si një “vrasje e dytë” për familjarët e dhjetë viktimave të masakrës së Lubotenit.
Edhe pas 24 vitesh, plagët e Lubotenit mbeten të hapura. Çdo 12 gusht, ky fshat kujton me dhimbje dhjetë civilët e pafajshëm që humbën jetën në një nga ngjarjet më të rënda të konfliktit të vitit 2001. Kujtimi i tyre është një thirrje për drejtësi, për mos harresë dhe për paqe të vërtetë.
Samir Mustafa /SHENJA/