
Në ditën e shtatë nga marrja e mandatit, kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski nuk ka zhvilluar të paktën zyrtarisht dhe para syve të opinionit, asnjë takim me drejtuesit e partive shqiptare përfshirë këtu edhe partnerin e deritanishëm të koalicionit Qeveritarë, Bashkimin Demokratik për Integrim.
Gruevski i mbahet zotimit që dha ditë më parë se për pikat që kanë të bëjnë me shqiptarët as nuk do të negociojë dhe as që do ti pranojë të njëjtat. Ndërkohë biseda nuk ka as mes drejtuesve të partive shqiptare me kreun e LSDM-së, Zoran Zaev dhe as mes kryetarëve të partive shqiptare. Kreu i VMRO-së, njëherësh mandator për formimin e Qeverisë ka edhe dy javë të plota afat për të negociuar me partitë shqiptarë dhe për të siguruar 61 votat e nevojshme në Kuvend që në ndërkohë ti propozojë Kuvendit edhe kabinetin e ri qeveritarë.
Ajo që mbetet e paqartë në gjithë këtë situatë është se kush do ta merr mundësinë e dytë për formimin e Qeverisë, nga 30 janari kur dhe skadon afati 20 ditor i Gruevskit. Në opinion kanë qarkulluar shumë teori. Mbështetës të VMRO-DPMNE-së kanë thënë se edhe mundësia e dytë duhet ti jepet VMRO-DPMNE-së, pasi në Kushtetutë nuk shkruan që nëse dështon mandatori i parë, pas tij mandati ti jepet liderit të partisë së dytë me radhë.
Nga ana tjetër ekspert dhe njohës të Kushtetutës thonë që mandati nuk i ka takuar as Gruevskit, por presidenti sipas tyre duhej që mandatin t’ia jep kryetarit të partisë apo koalicionit që do të sigurojë paraprakisht 61 votë në Kuvend. Ditëve të fundit janë shtuar zërat se pas dështimit të Gruevskit për të formuar Qeveri, vendi mund të hyjë drejt një krize më të thellë politike dhe në pranverë të organizohen zgjedhje të reja parlamentare. Madje sipas disa analistëve ky është edhe qëllimi i inskenuar paraprakisht nga dy partnerët e koalicionit të deritanishëm qeveritarë, VMRO-DPMNE dhe BDI të cilët shpresojnë që në zgjedhje të reja të rikthejnë shumicën që kanë pasur deri më tani.
Arben Zeqiri /SHENJA/
1 javë mandat, Gruevski zyrtarisht nuk i ka nis… by tvshenjaofficial