Vëzhgues ndërkombëtarë që monitorojnë procesin parazgjedhor dhe zgjedhor në Maqedoni e kanë alarmuar policinë për një dukuri negative që kanë vërejtur në fshatrat e komunës së Sarajit. Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, në këto fshatra banorëve u merren pasaportat dhe letërnjoftimet si garanci se do të votojnë një parti politike që shpeshherë përmendet në raportet e ndërkombëtarëve për shkelje zgjedhore. Vëzhguesit madje kanë incizuar disa raste ku bëhet kjo formë e manipulimit dhe se incizimet i kanë dorëzuar në polici, kurse varet prej gjykatave nëse ato do të pranohen si dëshmi ose jo.
Burime policore thonë se në bazë të informacioneve të siguruara nga vëzhguesit ndërkombëtarë, kanë filluar aksion për të zbuluar autorët dhe për t’i arrestuar ata. Sipas ligjit, autorëve të këtyre manipulimeve u kanoset 3 deri 5 vite arrest. Nga policia nuk ka ende koment zyrtar lidhur me këtë problem.

