EMISIONI VETTING
Në korrik 2020, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të shpallte thirrje për tenderat e mirëmbajtjes, ku një ndër përfituesit kryesorë do të ishin kompanitë e Arbër Abazit.
“Vetting” ka zbuluar se për këta tendera, për të cilët ka patur ankesë edhe te Komisioni i Prokurimit Publik janë shpallur fituesit nga ish drejtori i ARRSH-së Ergys Verdho, njeri i afërt me Ballukun, i cili ka kaluar administrator te Hekurudha shqiptare. Nga këto kontrata, për lotin 4, 12 dhe 13 ka patur ankesa nga kompanitë konkurruese, duke pretenduar se në disa raste janë favorizuar nga Ergys Verdho.
Sipas inxhinierit Romeo Nazarko, probleme me Autoritetin Rrugor Shqiptar lidhet me mënyrën se si funksionon Bordi i këtij institucioni. “Bordi ka autoritetin ta vendosi drejtorin e përgjithshëm të ARRSH-së me shpatulla pas muri, por nuk e bën. Kjo gjë sjell edhe mundësitë që drejtuesi i ARRSH-së ti realizojë tenderat sipas “porosive” nga lart”, u shpreh inxh. Nazarko.
Tenderi i parë lidhet me mirëmbajtjen e rrugëve të Rajoni Verior, Loti XII: “Mirëmbajtje rutinë me performancë rruga “Kuben- Vasie” me fond limit 117 milionë lekë. Nga mesi i dhjetorit 2020, Verdho do të shpallte fitues kompanitë “ALKO” me ofertë 114 milionë lekë, me ofertë më të lartë se kompania tjetër “DODA R”, e cila kishte ofruar 113 milionë lekë, ose 1 milionë lekë më pak se kompanitë “ALKO”.
Kompania “DODA-R” do të paraqiste ankesën te ARRSH-ja se vlerësimi me pikë ishte i padrejtë, duke nënvizuar faktin se vlerësimi për ofertën më ekonomike zë peshën kryesore, si edhe kishte të njëjtën eksperiencë në realizimin e kontratave të tilla. Gjithsesi bie në sy fakti se ARRSH-ja, i ka kërkuar kësaj kompanie që të paraqitet pranë zyrave qendrore për ankesën, ndërkohë që mund të ishte bërë procesi në mënyrë elektronike për shkak të pandemisë. Ashtu si ARRSH-ja, edhe Komisioni i Prokurimit Publik ka refuzuar ankesën e kompanisë.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Marrëveshjen Kuadër për mirëmbajtjen e e rrugëve të Rajonit Verior, Loti XIII: “Mirëmbajtje rutinë me performancë rruga “Peshkopi – Ura e Muhurit, Ura e Muhurit – Draj Reç (Kufi me Kukësin), Peshkopi- Ushtelence” me fond limit 112 milionë lekë. Ky tender është fituar nga bashkimi i kompanive “ALKO” me ofertë 109 milionë lekë, përsëri me ofertë më të lartë se kompania garuese, në këtë rast “SIRETA -2F” shpk.
Kjo e fundit ka paraqitur ankesë, por vendimi i Ergys Verdhos nuk është ndryshuar, duke i dhënë përsëri fonde publike kompanive të lidhura me Arbër Abazin, ku nuk mungojnë edhe fondet e akorduara nga Evis Berberi. Sipas kryetarit të Shoqatës së Gjeodetëve inxhinier Romeo Nazarko, tenderat e mirëmbajtjes kanë të njëjtën skemë si tenderat e tjetër të Autoritetit Rrugor Shqiptar. “Ne shohim plot rrugë në jug dhe në veri të Shqipërisë që nuk mirëmbahen. Por ky nuk është problemi më i madh pasi rreziku real janë rrugët që kanë defekte në projektim, tek të cilat shoferët e rinj rrezikojnë shumë. Po nuk folëm sot, nesër do të jetë tepër vonë për brezat që po vijnë”, tha për “Vetting” inxhinieri Nazarko.
Por a po mirëmbahen rrugët nga kompanitë “Alko”?
Një nga tenderat e mirëmbajtjes që ka shfaqur probleme me zbatimin është kontrata për mirëmbajtjen e rrugëve të Rajonit Qendror, Cërrik – Shalës – Belsh – Vlashuk, Belsh – Fierzë – Kosovë e vogël. Nga verifikimet e “Vetting” rezulton se një pjesë e kësaj rruge nuk është mirëmbajtur duke shkelur rregullat e mirëmbajtjes. Në kontratën e nënshkruar mes ARRSH-së dhe kompanive “ALKO” kërkohet që të vendoset sinjalistika, të rehabilitohet rruga dhe të rregullohet pjesa e bimësisë që devijon në rrugë.
Por kjo rrugë, e cila ka lëvizje është lënë në harresë, duke ngritur pikëpyetje për sigurinë.
Alko Impex, falsifikues dokumentesh
ALKO është eleminuar në disa tendera sepse ka falsifikuar dokumentet për të fituar garën, por në disa raste ka arritur të fitojë tenderat, duke mos plotësuar kushtin për xhiron vjetore. Ka qenë tenderi për “Ndërtim trotuari përgjatë rrugës nacionale (ndriçim, gjelbërim” Prrenjas i organizuar nga Bashkia e Prrenjasit në vitin 2017, ku sipas dokumenteve të siguruara nga “Vetting”, kompania “Alko Impex General Construction” ka paraqitur dokumente të falsifikuara për punime të ngjashme.
Konkretisht, kjo kompani, e cila e ka bazën në Kosovë dhe ka si aksioner Imer Ademin dhe administrator Arbër Abazin, ka paraqitur si shembull i një pune të ngjashme për tenderin që garonte, kontratën me Ministrinë e Infrastrukturës në Kosovë me vlerë 3.5 milionë euro. Por Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka komunikuar me Ministrinë e Infrastrukturës në Kosovë, ku ka zbuluar se kontrata e lidhur nga kompania ishte me vlerë 153 mijë euro, gjë e cila e skualifikon automatikisht konmpaninë.
Por çfarë ka ndodhur?
Asnjë masë nuk është marrë ndaj kompanisë, e cila nuk e ka herën e parë që ka fallsifikuar dokumentet për të garuar dhe për të fituar tenderat publikë. Nga të dhënat zyrtare rezulton se kompanitë “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” dhe “ALKO-IMPEX General Construction”, në shumicën e rasteve kanë dalë të fituara nga ankesat te Komisioni i Prokurimit Publik, nën drejtimin e Jonaid Myzyrit. Por teksa Evis Berberi ndodhet në burg për akuzat me tenderat dhe pastrim parash, para disa ditësh është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK për korrupsion edhe kreu i KPP-së Jonaid Myzyri për një nga tenderat e ARRSH-së duke u pezulluar nga detyra.
Disa nga bashkëpunëtorët më të afërt të Ballukut janë arrestuar ose janë nën hetim nga SPAK, por shkeljet e kësaj kompanie dhe favorizimet nga zv/kryeministrja Balluku qëndrojnë larg shqetësimeve të Drejtësisë, ku mos të harrojmë se dita ditës këto kompani fuqizohen ekonomikisht në dëm të konkurrencës.
“Vetting” ka bërë një kërkesë për informacion në Prokurorinë e Posacme përsa i përket ecurisë së hetimeve për denoncimin ndaj Ballukut nga gazetari i ndjerë Kastriot Myftaraj. Në kthim-përgjigje për “Vetting”, SPAK ka zbuluar se në 10 nëntor 2021 ka regjistruar kallëzimin penal nr. 303, për veprën penale “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal nga shtetasi Kastriot Myftaraj ndaj shtetases Belinda Balluku. Por sipas të dhënave mediatike, i ndjeri Myftaraj është paraqitur në SPAK në 3 nëntor 2021, ndërkohë ka një javë diferencë midis padisë dhe regjistrimit të saj në regjistrin e SPAK-ut.
Prokuroria e Posaçme do të zbulonte se po në të njëjtën datë, më 10 nëntor 2021, i ndjeri Myftaraj ka paraqitur një kërkesë për t’u tërhequr nga kallëzimi i tij ndaj ministres Balluku. Në përgjigje SPAK deklaron se pavarësisht tërheqjes nga kallëzimit të Kastriot Myftaraj, ka vazhduar me verifikimet. Por ajo që ka shtuar dyshimet dhe misterin me këtë rast është fakti se brenda 4 ditësh në kohë rekord SPAK ka sqaruar çdo gjë, pasi sipas Prokurorisë së Posaçme janë kryer verifikimet e kallëzimit nga Myftaraj duke vendosur mosfillimin e procedimit penal më 15 nëntor 2021 pasi pretendimet e të ndjerit nuk kishin elementë penalë të falsifikimit. Në mbyllje të letrës, Prokuroria e Posaçme shton se vendimi i është njoftuar menjëherë kallëzuesit, ku rezulton se Myftaraj nuk ka ushtruar ankim në Gjykatë.
Sipas avokatit Llangozi, Prokuroria e Posaçme duhet të ecë me hetimet pasi vonesat ngrenë shumë pikëpyetje. “Ne kemi rastin e ish-zv/kryeministrit Ahmetajt, dosja flinte në Prokurori dhe vetëm pasi u bë publike në media pati zhvillime. Mendoj se SPAK-u duhet të jetë më funksional me hetimet pasi vonesat e gjata nuk japin drejtësi në masën e duhur”, tha avokati Llangozi.
“Vetting” i ka bërë një kërkesë për informacion Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave që në muajin shkurt 2025. Prej 5 muajsh, institucioni që drejtohet nga Evgjeni Bashari ruan me fanatizëm dosjet e drejtorave dhe zv/ministrave të Ballukut, duke penguar verifikimin e fakteve që ekspozojnë konfliktet e interesit dhe indiciet për korrupsion.
Mjegullaja rreth hetimeve ndaj Ballukut dhe standardi i këtyre hetimeve ndaj bashkëpunëtorëve të numrit dy të qeverisë shqiptare ngrenë pikëpyetje për vetë procesin. E gjithë garda e Ballukut goditet dalëngadalë, duke i trajtuar rastet si korrupsion individual ndërkohë që raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Agjencisë së Prokurimeve Publike dhe provat që ka sjellë “Vetting” tregojnë se përfituesit më të mëdhenj janë kompanitë Alko Impex dhe kompanitë e familjarëve të kabinetit të Ballukut, si Drejtori i Kabinetit në zv/kryeministri Ermal Nufi.