Vetting/ Përdorimi i tepruar i akteve, KE dhe FMN kundra qeverisë
Nga fillim viti 2023 deri në fund të vitit 2025, qeveria shqiptare dhe ministrat e ndryshëm të ekonomisë, si Delinda Ibrahimaj, Ervin Mete dhe ministri aktual Petrit Malaj nën miratimin e zv.kryeministres Balluku së bashku me Këshillin e Ministrave do të vulosnin 9 akte normative. Duhet theksuar se Shqipëria nuk ishte në kushtet e emergjencës dhe të nevojës dhe kjo gjë është e qartë dhe nga argumentet e dobëta që paraqiten në relacionet e Ministrisë së Financave.
Sipas avokatit Adriatik Lapaj korrektimi i buxhetit të shtetit, është një praktikë e zakonshme.
“Pjesa e korrektimit bëhet për shkak të ndryshimeve që ndodhin, por sigurisht nuk është një praktikë e shëndetshme”, tha për “Vetting” Lapaj.
Akti Normativ nr.5, datë 18.10.2023 dhe Akti Normativ nr.6, datë 14.12.2023 janë dy ndërhyrje të njëpasnjëshme të Këshillit të Ministrave në ligjin e buxhetit të vitit 2023. Ashtu si aktet e 2022, të dyja këto akte janë miratuar në periudhën e fundit të vitit buxhetor me qëllim rishpërndarjen e fondeve publike, pa ndryshuar nivelin e deficitit apo të borxhit publik.
Në relacionet shoqëruese dhe raportet parlamentare, urgjenca argumentohet me afrimin e mbylljes së vitit financiar dhe nevojën për të realizuar shpenzimet e planifikuara dhe jo nën rrethana të jashtëzakonshme si kriza ekonomike, fatkeqësi natyrore apo rrezik për bllokimin e administratës.
“Po të shikojmë se për çfarë janë përdorur aktet normative është që askush ose asnjë nga aktet e paraqitura nuk e përmbush kushtin e emergjencës. Pra, duket që janë lidhur për nevoja të caktuara dhe të dyshimta të qeverisë, por asnjëherë për të zgjidhur 1 situatë caktuar”, tha deputeti Kapri.
Sipas raportit të KLSH-së për zbatimin e Buxhetit të Shtetit 2023 evidentohet se buxheti është ndryshuar dy herë me akte normative dhe se një pjesë e konsiderueshme e shpenzimeve vjetore është realizuar në muajin dhjetor, pikërisht pas miratimit të këtyre akteve.
Në të njëjtin raport, auditi thekson se ndryshimi i ligjit të buxhetit me këto akte nuk shoqërohet me një shpjegim shterues mbi nevojën dhe urgjencën që do të justifikonte shmangien e Parlamentit.
Të dy aktet kanë të përbashkët faktin që fondi rezervë dhe ai i kontigjencës po përdoren më shumë sesa duhet. Këto fonde, që fillimisht janë krijuar për raste të paparashikuara, janë përdorur për shpenzime që dihej paraprakisht se do të ndodhnin.
Megjithatë, siç del edhe nga analizat e relacioneve shoqëruese, mbetet e diskutueshme përputhshmëria e tyre me nenin 101 të Kushtetutës.
Auditi thekson se përdorimi i shpeshtë i akteve normative për ndryshime buxhetore, veçanërisht në fund të vitit, është vërejtur edhe nga institucione ndërkombëtare si Komisioni Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, të cilat kanë rekomanduar kufizimin e kësaj praktike.
Sipas ekspertit Gjokutaj, auditi evidenton problemin e mos shpërndarjes së duhur dhe të shpenzimeve, duke vënë theksin që buxhetet e shtetit në vitet e fundit kanë tendenca të jenë klienteliste.
“Buxhetet janë të orientuara drejt disa burimeve të parapërcaktuara dhe natyrisht këto bëjnë edhe diferencën në mënyrën se si ndryshohen”, deklaroi eksperti Gjokutaj duke marrë shkas nga raporti i auditit. Dyshimet për shkeljet gjenden edhe te aktet pasardhëse në vitin 2024, ku në aktet normative nr. 1, nr. 3 dhe nr. 5 për buxhetin e vitit 2024, së bashku me relacionet dhe raportet parlamentare, dalin në pah shumë elementë që tregojnë një model të përsëritur përdorimi problematik të aktit normativ, me shenja të forta të shkeljes së kuadrit ligjor buxhetor dhe kushtetues.
Të gjitha aktet kanë të përbashkët faktin se mbështeten formalisht në nenin 101 të Kushtetutës, duke deklaruar “nevojë dhe urgjencë”, por asgjëkundi nuk gjendet një fjalë apo fjali që të përshkruajë emergjencën apo nevojën.
Në të gjitha rastet, arsyeja ngelet rialokimi i fondeve, përmirësimi i ekzekutimit ose mbështetja e politikave sociale, elementë të cilët janë të parashikueshëm. Kjo gjë bie ndesh me standardin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese, sipas të cilit akti normativ është përjashtim dhe jo instrument planifikimi.
Sipas nënkryetarit të partisë “Mundësia” Erald Kapri, nëse do të kishte emergjencë, qeveria shqiptare do të kishte marra masa për Onkologjikun, por në të kundërt e shfrytëzon aktin për interesa të errëta.
“Është kujdesur vetëm për projektet të cilat ajo i ka konsideruar për interesat e saj të ngushta politike se nuk bëhet më fjalë për interesat zhvillimore të Shqipërisë, por për interesa se si të kënaqen një grup klientësh të caktuar me qeverinë në mënyrë që ata pastaj ndihmojë kryeministrin që të vazhdojë pushteti”, deklaroi deputeti Kapri.
Në të gjitha relacionet vihet re një gjuhë standarde, pothuajse identike, ku përsëriten të njëjtat shprehje “performancë pozitive”, “pritshmëri deri në fund të vitit”, “nevojë për realizim optimal të buxhetit”. Në këto dokumente mungon analiza alternative dhe arsyet se pse Kuvendi nuk mund të mblidhej dhe mungon vlerësimi i pasojave afatmesme. Kjo e bën urgjencën formale dhe jo reale.
Akti normativ për startup pa emergjencë dhe nevojë
Në fund të prillit 2025, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit si aksionere e vetme e Korporatës së Investimeve Shqiptare nën drejtimin e Blendi Gonxhes do t’i përcillte pranë Ministrisë së Financave projektin e startup-it të inteligjencës artificiale “Thinking Machines Lab” ku shteti shqiptar të investonte 1 miliard lekë ose jo më pak se 10 milionë dollarë. Sipas relacionit, në këto kushte, Ministria e Financave kishte përgatitur rishikimin e parë të buxhetit të vitit 2025, me anë të aktit normativ nr. 3, datë 29.04.2025.
Sipas deputetit Kapri, qeveria shqiptare nuk ka më asnjë limit me ligjin.
“E kanë përdorur ligjin dhe Parlamentin si 1 noter për të bërë gjithçka, pavarësisht se gjithçka ka qenë aspekt korruptiv nga fillimi deri në fund. Se pse ku ndodh kjo, që qeveria me ligj vendos t’ia japi një personi të vetëm, pa garë pa gjë?” do të shprehej nënkryetari i “Mundësia” për startup-in “Thinking Machines Lab”.
Sipas deklaratës së ministrit Petrit Malaj, ky projekt eshte pjesë e startup-it “Thinking Machines Lab” të një prej shqiptaro-amerikaneve më të suksesshme Mira Murati. Kjo është një nga kompanitë më të përfolura të vitit 2025 në fushën e Inteligjencës Artificiale dhe është themeluar nga Murati, ish drejtoreshë e OpenAI, pasi ajo u largua nga krijuesit e ChatGPT.
Ministri Blendi Gonxhja do ta paraqiste kërkesën si urgjente sepse afati për të hyrë në projekt skadonte brenda pak ditësh, në fund të prillit 2025. Meqë ky investim nuk ishte parashikuar në buxhetin e miratuar dhe as në planifikimin afatmesëm, Ministri i Financave Petrit Malaj do të përgatiste një zgjidhje përmes aktit normativ nr. 3, i pari për vitin 2025 pasi pas tij do të firmoseshin edhe 3 akte të tjera për buxhetin, me propozim të vetë ministrit të Financave.
“Fondi iu akordua MEKI-t nga nevoja në cilësinë e aksionerit të vetëm të Koorporatës së Investimeve Shqiptare për financimin e pjesëmarrjes së qeverisë shqiptare në startup-in “Thinking Machines Lab” me një vlerë jo më pas se 10 milionë dollarë dhe me afat pagese brenda datës 29 prill 2025 sipas kërkesës që na u përcoll nga ana e Ministrisë”, do të deklaronte ministri Malaj në 5 qershor 2025 në Parlament.
Nga deklaratat e ministrit të Financave, por edhe në relacionin e Aktit Normativ nuk është e qartë nevoja, që ka Ministria që ka bërë propozimin.
“Dëshiroj të qartësoj se realizimi me urgjencë i këtij akti normativ erdhi kryesisht nga fakti se projekti duhej të financohej sa më shpejt, me qellim që të fillonte dhe zbatimi që të siguroheshin edhe përfitimet e nevojshme”, do të shprehej publikisht Ministri i Financave.
Nga fjalimi i ministrit Malaj nuk përcaktohen qartë dy elementët kryesorë sipas vendimeve nga Gjykata Kushtetuese, nevoja dhe urgjenca.
Sipas deputeti Erald Kapri, rasti i Startup-it është tipik se si është shkelur Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Nga një anë Gjykata Kushtetuese me vendimin e vitit 2014 e ka lejuar qeverinë shqiptare që në kuadër të një emergjence mund të ndërhyjë me akt normativ, por sa kohë kjo është e justifikuar kur kemi një emergjencë reale. Nëse ti kërkon të bësh një investim si qeveri për një element të caktuar, mund ta bësh fare mirë të programuar në buxhet, nuk ke asnjë emergjencë”, tha deputeti Kapri duke kritikuar metodat e qeverisë.
Paratë për startup-in u krijuan gjatë vitit 2025, si të ardhura shtesë nga administrimi dhe tjetërsimi i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nga shteti. Këto të ardhura mblidhen nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara dhe më pas kalojnë në buxheti si të ardhura jotatimore.
Sipas ekspertit fiskal Eduart Gjokutaj, rasti specifik i alokimit të buxhetit, duke përdorur edhe Koorporatën e Investimeve Shqiptare si një instrument buxhetor sjell devijim nga ligji.
“Kjo sjell anashkalimin total të atyre elementëve që përmend ligji organik i buxhetit, edhe në tërësi mënyra se si duhet të orientohen fondet, duke shmangur ligjin e prokurimeve publike, ligjin për investimet strategjike dhe të rregullave të përgjithshme buxhetore”, u shpreh eksperti Gjokutaj.
I gjithë ky proces kalon nga Ministria e Financave, e cila harton aktin normativ, përcakton burimin e financimit, formulon arsyetimin për “nevojë dhe urgjencë” dhe përgatit relacionin shoqërues. Në këtë fazë, ministri i Financave Malaj mban përgjegjësinë kryesore ligjore për përmbajtjen e aktit, sepse ai është autoriteti që garanton përputhshmërinë me Kushtetutën, veçanërisht me nenin 101. Nëse urgjenca nuk është reale dhe ndërhyrja buxhetore mund të ishte bërë me ligj të zakonshëm, përgjegjësia materiale për keqpërdorimin e aktit normativ rëndon mbi atë.
Më pas, akti i propozuar nga Ministria e Financave është paraqitur për miratim nga zv.kryeministrja Balluku, e cila jo vetëm e nënshkruan, por edhe e fut në rendin e ditës së Këshillit të Ministrave. Në këtë fazë, edhe zv.kryeministrja Balluku mban përgjegjësi, sepse është ajo që vendos përdorimin e nenit 101 të Kushtetutës dhe garanton se akti normativ përdoret vetëm në kushte reale emergjence.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, “nevoja dhe urgjenca” ekzistojnë vetëm kur ka një situatë të jashtëzakonshme, të paparashikuar dhe të rrezikshme për interesin publik, që nuk mund të presë as procedurat e përshpejtuara parlamentare dhe që, nëse nuk trajtohet menjëherë, sjell pasoja të rënda për shtetin ose qytetarët.
Në rastin e aktit normativ për “Thinking Machines Lab”, nga dokumentet rezulton se bëhet fjalë për një investim të planifikuar, jo për një emergjencë të paparashikuar. Nuk ka rrezik për funksionimin e shtetit, nuk ka ndërprerje shërbimesh publike, nuk ka boshllëk ligjor dhe nuk ka situatë që të pamundësonte shqyrtimin nga Kuvendi edhe me procedurë të përshpejtuar. Arsyeja e vetme e përmendur është afati i vendosur nga vetë projekti, pra një kufizim kohor kontraktual dhe jo një rrezik publik.
Akti normativ do të miratohej nga Parlamenti, por dokumentet nga Koorporata e Investimeve Shqiptare dhe nga Ministria e Financave zbulojnë një mospërputhje midis transfertave financiare. Sipas aktit të publikuar, qeveria shqiptare ka miratuar 1 miliard lekë, jo 10 milionë dollarë. Duhet ta sqarojmë këtë gjë sepse 1 miliardë lekë konvertohen në 11.53 milionë dollarë sipas kursit të Bankës së Shqipërisë në ditën kur është bërë transferimi i fondit drejt Koorporatës në 29 prill 2025.
Nga ana tjetër, sipas vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të Koorporatës, me anë të vendimit nr. 43, datë 30 prill 2025 sipas aktit normativ asaj i janë transferuar 867,2 milionë lekë, e barabartë me 10 milionë dollarë sipas kursit të Bankës së Shqipërisë.
Siç e përmendëm më sipër, zyrtarisht qeveria shqiptare ka transferuar 1 miliardë lekë dhe jo 10 milionë dollarë.
Ndërkohë që 132 milionë lekë ose 1.4 milionë euro nuk dihen se ku kanë shkuar.
“Vetting” i nisi një kërkesë për koment “Thinking Machines Lab”, për të sqaruar investimet nga qeveria shqiptare, për mënyrën se si kishin kaluar fondet, por deri në publikimin e këtij materiali nuk pati asnjë reagim.
“Vetting” i bëri një kërkesë për informacion Koorporatës së Investimeve Shqiptare për startup-in, se cila është kompania që është përdorur për ti kaluar fondin, kush janë pronarët, por deri në publikimin e këtij materiali nuk mori asnjë informacion.


