Në vitin 2010, Prokuroria e Lushnjes do të niste hetimet për falsifikim dokumentesh ndaj Ferit Tabakut dhe Faslli Turkut. Gjatë hetimeve, u vërtetua se dokumentet e privatizimit ishin korrigjuar dhe se vlera e qirasë që paguante Tabaku përputhej me sipërfaqen e vogël, jo me atë të ndryshuarën. Pavarësisht gjetjeve, në maj 2016, prokuroria do ta pushonte çështjen sepse afatet e parashkrimit për ndjekjen penale kishin kaluar.
Megjithatë ky vendim do të linte në fuqi dokumentet e falsifikuara, duke i lejuar Tabakut të vazhdonte ndërtimin e pallatit mbi pronën e Sefedinit. Situata do të ndryshonte pasi Ferit Tabaku, i cili sapo kishte evituar dënimin për shkak të parashkrimit për falsifikim, do të bënte kallëzim penal kundër Sefedin Shefës. Tabaku pretendonte se dokumentet e vitit 1958 që përdorte Sefedini ishin të falsifikuara dhe Prokurorja Merita Selimi mori përsipër çështjen kundër Sefedinit
“Merita Selimi për një fjalë që hodhi dikush “do e vras, do e bëj”, u sigurua për gjashtë muaj nga organet kompetente nga policia. Problemi i tyre, le t’i përmbahen ligjit dhe nuk më intereson. I shkaktoi shtetit dëm mbi 50-60 milionë lekë. Si ka mundësi, i nderuar gazetar, që kjo prokurore në bashkëpunim me kryesekretaren e Prokurorisë Lushnje në atë kohë, në 9 mars dha pretencën, më dha nëntë muaj burg për falsifikim dokumentash, të cilin do ta them në vazhdim dhe më 10 mars më dërgon djemtë e kryesekretares, Etleva Zaimit, për të më vrarë në dyqanin tim dhe thotë nuk ka çështje penale. Atëherë nesër, ne si popull na mbron njeri apo na lënë që të vritemi?”, deklaroi Shefa.
Sipas këtij të fundit, kjo gjë e penalizoi për çështjet civile pasi do të dilnin probleme me magjistratët në Fier.
“Në kallëzimin penal në SPAK kam përmendur pesë emra, katër gjyqtarë dhe një prokurore. Prokurorja është Merita Selimi, e cila sipas meje po e turbullon çështjen në të gjitha krahët. Me sa duket kjo prokurore ka rënë dakord me hajdutin e pronës time, edhe pse vetë kjo prokurore ka dhënë urdhër për ekzekutimin e bllokimit të këtyre hyrjeve dhe dyqaneve të pallatit, i cili është ndërtuar mbi pronën e babait tim. Është kjo prokurore që ka lejuar hajdutin e pronës time, Ferit Tabaku, të japë hyrjet me qira.
Madje në kallëzim penal është edhe gjyqtarja Miranda Nakaj, e cila, në kundërshtim me ligjin dhe në konflikt interesi, gjyqtarja që kam relatore në çështjen civile, ka shfrytëzuar për rreth një vit e gjysmë një hyrje në këtë pallat me kontratë qiraje të dhënë nga Ferit Tabaku. Aq më keq akoma, duke i bërë kërkesë kësaj gjykate që kjo të japë dorëheqje për këtë çështje se ka shkelur ligjin me të dyja këmbët, për inat gjyqtarja Miranda Nakaj më pezullon çështjen civile”, tha Shefa duke sqaruar edhe arsyet për padinë në SPAK.
Problemi i Sefedin Shefës u ndërlikua në gjyqin e radhës për asgjësimin e dokumenteve të falsifikuara dhe të lejes së ndërtimit të pallatit, me qellim rikthimin e pronës tek pronari.
Çështja që u gjykua në Gjykatën e Fierit do të rikthehej në Fier pas rekursit në Gjykatën e Lartë nga Ferit Tabaku, si palë legjitime në këtë proces.
Përplasja në Fier përfaqëson thelbin e një beteje ku Sefedin Shefa kërkon të zhbëjë atë që ai e cilëson si një skemë gjigante të tjetërsimit të pronës përmes bashkëpunimit mes ndërtuesit dhe njerëzve të sistemit të drejtësisë. Objekti i procesit civil dhe penal në Fier lidhet me kërkesën për shfuqizimin e akteve administrative që lejuan Ferit Tabakun të ndërtonte pallatin mbi truallin që Shefa pretendon se i përket familjes së tij, mbi bazën e procesverbalit të shpronësimit të vitit 1958. Një pjesë e këtij gjykimi është vërtetimi i pavlefshmërisë së lejes së ndërtimit dhe regjistrimeve hipotekore, të cilat sipas Shefës janë kryer mbi dokumente të falsifikuara që kanë fshirë origjinën reale të pronës për t’i hapur rrugë investimit privat.
Në 9 shtator 2025, Gjykata e Fierit do të pushonte çështjen, por sipas denoncuesit Shefa gjërat nuk shkuan siç duhet. Magjistrati Alfred Konomi do të kryente gjykimin pa praninë e prokurorit të caktuar Genci Mane. Madje seanca dëgjimore do të kishte ndërhyrje.
“Kemi kallëzuar gjyqtarin Alfred Konomi. Gjyqtar Alfred Konomi e bëri gjyqin për tre muaj pa prezencën e prokurorisë. Ligji thotë që çështjen, aktakuzën që e ka pasur prokuroria, duhet patjetër ta mbrojë prokuroria.
Nga shorti i kësaj çështjeje, prokuror u caktua Genci Mane, i cili pas 15 ditësh u hoq nga vettingu, për problemet e tij dhe faktikisht duhej të rishortohej çështja për të ardhur prokuror tjetër. Për ironi të fatit dhe për t’u habitur, le t’i shikojnë teleshikuesit se çfarë bën prokurorja Merita Selimi”, tregon Shefa.
Në vendimin e tij gjyqtari Konomi u shpreh se “Gjykata është tërhequr për vendim, pasi shqyrtoi çështjen, dëgjoi drejt pretendimet e palëve. Në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë, i cili ka lënë dhe detyrat përkatëse, në bazë të neni 328, 329 të Kodit të Procedurës Penale, vendosi rrëzimin e kërkesës së Sefedin Shefës. U shpall në Fier sot më datën 9 shtator 2025. Seanca deklarohet e mbyllur”.
Sefedin Shefa nuk do ta linte me kaq dhe do të bënte një padi në SPAK.
“Unë që e kam bërë këtë kallëzim penal, jo më kot e kam ngritur çështjen në kallëzimin penal. Nuk ka të drejtë, po e përsëris, gjyqtari Alfred Konomi me të dyja këmbët ka shkelur ligjin. Aq më keq akoma, një prokuror i gjetur në rrugë për mendimin tim futet në sallën e gjyqit dhe thotë “çështjen e kam marrë rishtazi dhe dua kohë të njihem me çështjen”, nuk ka të drejtë gjyqtari brenda një muaji të marrë tre vendime. Një herë e mbron organi i akuzës i përfaqësuar nga Genc Mane, një herë do të jetë pa prokuror dhe një herë do vijë prokurori, Elvis Alliu”, u shpreh Shefa.
Ai tregon se i bën kërkesë për pamjet filmike Gjykatës së Fierit, por Gjykata nuk pranoi t’i vendoste në dispozicion.


