Shkruan: Xhevdet Pozhari
Nëse Hashim Thaçi dikur e quante Ibrahim Rugovën tradhtar, e erdhi koha që të bëhet president me votën e vajzës së tij deputete, të bëjë nderime para varrit të tij e të ndajë medalje presidenciale për veprën e tij, pse duhet të habitemi me urimin e Lëvizjes Vetëvendosje për 30 vjetorin e themelimit të LDK-së?! Gjithmonë vjen momenti i kthesave kur partitë reflektojnë për qëndrimet e tyre. Kryesisht, kjo vjen në shprehje kur më të forta janë interesat e përbashkëta, bashkëqeverisja, sesa ndasitë e së kaluarës.
Njeriu nuk bën të mbetet peng i së kaluarës, por e vetmja gjë e sigurtë përmes së cilës identifikohemi mbetet rruga nëpër të cilën kemi ecur ngaqë e sotmja nuk ekziston, është çast që shndërrohet menjëherë në të kaluar, ndërsa e ardhmja, e nesërmja, mund edhe mos të vjen kurrë!
Lëvizja Vetëvendosje para vetes ka një test jo të lehtë: t’iu qëndrojë besnike parimeve mbi të cilat e ndërtoi profilin e saj apo t’i dorëzohet kushteve të LDK-së. E, LDK-ja që tani ka përfituar shumë nga Vetëvendosje, – ajo thuajse e ka shpërlarë të kaluarën e saj bashkëqeverisëse me PDK-në. Vetëvendosje e ka pranuar këtë pozicion në pamundësi që tani në këtë kohë të bashkëveprojë me parti të tjera.
Lëvizja e Albin Kurtit u ndje e vetmuar në skenën politike, anipse përkrah e kishte popullin. Zgjodhi partnerin e saj. Mbase gaboi në hapa – nga pozita e pastër kur mund të impononte kushte, kaloi në anën e atyre që pranojnë kushte, vetëm që mos të shkohet në zgjedhje. Gradualisht i tkurret guximi. Ndoshta e lodhur nga qëndrimi i gjatë në opozitë, ndoshta e frikësuar se në zgjedhjet e ardhshme rivalët politikë mund të ri-grupohen, ajo pahetueshëm i dorëzohet apetiteve të LDK-së, e cila e ka përvetësuar mjeshtrinë e durimit. Ajo mendon se Vetëvendosje nuk ka zgjidhje tjetër! Jo, janë 216 mijë votuesit që e kanë përcaktuar fituesin. Janë 200 mijë votuesit e tjerë që ndjehen të mashtruar nga treshja Mustafa-Haziri-Veliu. Edhe një palë zgjedhje do t’i çlironin përfundimisht edhe të rinjt e LDK-së. Por, Kosova nuk ka kohë -, është ky arsyetimi i të gjithve që në fakt mbulon dëshirën e vërtetë për pushtet. Thënie si shumë të tjera që i dëgjojmë tash e sa vite nga ata që e thonë atë çfarë dëshiron ta dëgjojë populli, e jo atë që e mendojnë në të vërtetë. Si rasti i Thaçit me Rugovën, apo Kurtit me Mustafën.