Lëvizja Vetëvendosje ka dalë me qëndrim lidhur me zhvillimet në Maqedoni, që nuk përket me karakterin e kësaj Lëvizjes. Në reagimin e tyre për ngjarjet e këtushme akuzohet vetëm Gruevski dhe Ivanovi, thuajse ata nuk kanë bashkëpunëtorë shqiptar. Kjo i vjen njësoj sikurse shqiptarët e Maqedonisë të dalin me vlerësime se për zhvillimet negative në Kosovë fajet i ka vetëm Lista Sërpska, e jo Hashim Thaçi e Isa Mustafa.
Ja reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje!
Në lidhje me ngjarjet dhe situatën e krijuar në Maqedoni, Lëvizja Vetëvendosje! mbajti një konferencë për media, ku folën deputetët Glauk Konjufca dhe Albin Kurti. Nënpërfaqësimi i shqiptarëve atje dhe antishqiptarizmi i qeverisë së Nikola Gruevskit dhe presidentit George Ivanov janë shkaktarët që e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë pozitën e shqiptarëve në Maqedoni.
Konjufca tha se politikat e partisë VMRO, e udhëhequr nga Gruevski, kanë qenë vazhdimisht të orientuara kundër shqiptarëve, gjë e cila ka bërë që shkalla e emigracionit të tyre të jetë shumë e lartë, siç është edhe papunësia në mesin e shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet. Konjufca tha se masat institucionale atje e pamundësojnë edhe përdorimin e gjuhës shqipe, ndërsa aktet brutale të vazhdueshme përgjatë viteve ndaj shqiptarëve i quajti veprime të bandave të Gruevskit. si dhe, shtoi se unifikimi i shqiptarëve pas zgjedhjeve të fundit dhe platforma me kërkesat elementare që iu takojnë, ka unifikuar edhe politikën antishqiptare maqedone.
“Ajo që e pamë dje në Maqedoni nuk ishte hyrje e popullit në parlament. ajo ishte hyrje e bandave të Gruevskit në parlament. dhe, kështu ndodh kur policia shërben si bazë logjistike për hyrjen e militantëve të VMRO-së në parlament, dhe jo si një institucion përtej partive politike dhe shtetëror, i cili duhej ta mbronte konstituimin demokratik të kuvendit të Maqedonisë”, theksoi Konjufca, dhe njëkohësisht tha se VETËVENDOSJE! e dënon dhunën e Gruevskit dhe solidarizohet me gjithë deputetët e lënduar.
Kurse deputeti Albin Kurti tha se mbrëmë ka ndodhur një grushtshtet në Shkup, për të cilin tha se ende nuk mund të konsiderohet i suksesshëm apo i dështuar. zhvillimet në vijim – vazhdoi deputeti Kurti – varen edhe nga reagimet tona, posaçërisht në tiranë e në Prishtinë. ai kritikoi reagimet e buta të liderëve institucionalë të Kosovës. ndërsa i uroi shërim sa më të shpejtë kryetarit LR-PDSH-së, Ziadin Sela, i cili ishte një nga deputetët më të lënduar.
“dhuna nuk mund të dënohet në mënyrë të përgjithshme. ajo ka adresë: Ivanovin dhe Gruevskin, ata që e kanë kapur shtetin duke e zvogëluar në minimum demokracinë e duke e rritur në maksimum shovinizimin kundër shqiptarëve. të gjithë ishin dëshmitarë se mbrëmë policia ka ndërhyrë me vonesë dhe hezitim. ajo më shumë kujdesej për depërtimin e paramilitarëve të VMRO-DPMNE-së, jo pak prej të cilëve kishin edhe maska, sesa për kuvendin, deputetët shqiptarë dhe ata të LSDM-së”, tha Kurti, duke theksuar se si kryetari i ri i kuvendit Talat Xhaferi, mori besimin e 67 deputetëve, por ai u dëbua nga foltorja dhe ulësja e tij.
Ndër të tjera, Kurti tha se ngjarjet e mbrëmshme janë paralajmëruar me 1 mars të këtij viti nga presidenti i Maqedonisë, George Ivanov, i cili pati thënë që nuk ia jep mandatin Zaevit për shkak të platformës shqiptare. e ngjarjet e mbrëmshme treguan se sipas Ivanovit, Maqedonia jo vetëm se nuk mund të ekzistojë pa i shtypur shqiptarët, por edhe pa i shtypur kaq shumë sikurse tani.