Vjet, presidentët Radev dhe Pendarovski shkuan së bashku në Romë që të shënonin festën, por sivjet nuk kishte shenjë për optimizëm. Pozicione të ngurta nga të dyja palët, kështu e shohin disa analistë takimin në Romë të dy kryeministrave, Kovaçevski e Petkov.
Takimi në Romë me rastin e Ditës së “Shën Kirilit dhe Metodit”, ndërmjet kryeministrave të Bullgarisë dhe të Maqedonisë së Veriut, nuk solli asgjë të re. Vjet presidentët Radev dhe Pendarovski shkuan së bashku në Romë që të shënonin festën, por sivjet nuk kishte shenjë për optimizëm. Kryeministri bullgar deklaroi pas takimit se “nuk jemi angazhuar me asnjë afat, premtuam njëri tjetrit se toni konstruktiv do të vazhdojë”. Kirill Petkov i hodhi poshtë të gjitha thashethemet për lëshime ose për vendime personale në lidhje me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet të dy shteteve. Kryeministri Petkov deklaroi edhe një herë se çdo vendim në fund të fundit do të merret nga Kuvendi bullgar me konsensus sa më të gjerë.
Pozicione të ngurta nga të dyja palët. Kështu e shohin disa analistë takimin në Romë të dy kryeministrave, Kovaçevski dhe Petkov. “Në Bullgari dominon optimizmi pas Rezolutës së Parlamentit Evropian nga data 19 maj, pavarësisht se Grupi i të Gjelbërve futi disa pika, në të cilat Bullgarisë i bëhet thirrje që të lejojë menjëherë zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut. Optimizmi në Bullgari vjen nga fakti se të gjitha kërkesat bullgare dhe sidomos këto të lidhura me trajtimin e çështjeve historike dhe me të drejtat e komunitetit bullgar në Maqedoninë e Veriut, janë përfshirë në Rezolutën e Parlamentit Evropian. Pra, qëndrimi bullgar është krejt legjitim. Mosmarrëveshjet vijnë nga afatet dhe nga taktika e veprimit – institucionet e BE-së insistojnë këto çështje të rregullohen gjatë procesit të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut, derisa pala bullgare këmbëngul që Sofja duhet të marrë garanci të qarta para zhvillimit të konferencës së parë ndërqeveritare përmes përfshirjes së një kapitulli të veçantë në procesin e negociatave me Maqedoninë e Veriut. Sipas burimeve diplomatike bullgare duhet të pajtohen edhe 2-3 vende në Bashkimin Evropian për pranimin e këtij kapitulli, në të cilin kërkesat bullgare do të përfshihen plotësisht së bashku me afate të qarta kohore për Shkupin për realizimin e tyre”, thekson për KOHA politologu bullgar, Anton Pançev.
Ndërkaq, analisti politik, Sinisha Pekevski thotë se takimi në Romë ka qenë vetëm protokoll për kujtimin e Shën Kirilit, dhe nuk ka prodhuar asgjë pozitive në tejkalimin e kontestit dhe gjetjen e zgjidhjes. “Ajo që prisja dhe ndodhi, takimi ishte vetëm protokoll për përkujtimin e Shën Kirilit. Vetoja e Bullgarisë është e fortë dhe nuk do të ketë ndrshim, mashtrimi i turmës është se ka ndonjë shans për ndryshim. Maqedonia nuk do t’i fillojë negociatat me BE-në derisa të plotësojë të gjitha kushtet Bullgarisë për fat të keq”, ka deklaruar Sinisha Pekevski, analist.
Historiani bullgar, Hristo Matanov ka thënë se Bullgaria assesi nuk duhet të bëj lëshime ndaj Maqedonisë së Veriut. “Dallimet mes qëndrimeve të dy delegacioneve të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut në Romë më 24 maj, është një traditë e vjetër dhe tashmë e njohur. E njëjta gjë ka ndodhur në kohën e Jugosllavisë. Bullgaria nuk duhet të bëjë lëshime ndaj Maqedonisë së Veriut sepse nuk ka asnjë arsye për ta bërë këtë. Nëse bëjmë lëshime do të thotë se jemi dakord me gjuhën e tyre të urrejtjes që na vërshon çdo ditë”, tha Matanov për mediat bullgare.