Kryetari i opozitares LSDM, Venko Filipçe ka paralajmëruar se javën e ardhshme do të thirr takim liderësh në të cilin do ta shpalos planin e tij për reforma, duke filluar nga gjyqësori, shëndetësia arsimi e deri te agjenda për integrim në Bashkimin Evropian. Reformat, sipas Filipçes duhet të jenë thelbësore.
“Kam menduar në periudhën dhe ditët e kaluara dhe javën e ardhshme do të ftoj takim liderësh në Kuvend, të liderëve të partive më të mëdha politike, të cilëve dua t’ua prezantoj planin tim se çfarë unë mendoj se ne duhet ose kemi obligim të bëjmë për shtetin. Duke lënë me një anë të gjitha koalicionet në anën e opozitës dhe pushtetit. Të bëhet ajo që duhet në mënyrë thelbësore, reforma të vërteta në gjyqësor, të ndryshohet sistemi shëndetësor, të fillojë ndërtimi i qendrës klinike, të bëhen ndryshime thelbësore në sistemin arsimor, të dyfishohen të ardhurat e mësimdhënësve, të sigurohemi se fëmijët tanë do të kenë edukim të mirë, të bëhet ndryshim definitiv në sistemin e administratës publike”, deklaroi Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së. /Alsat.mk