“Një foto, sa një mijë fjalë, dhe pas saj – gra që vendosin”. Me këtë mesazh të fuqishëm, zëdhënësja e Qeverisë së RMV-së, Venera Azizi, ka theksuar rolin vendimtar të grave shqiptare në politikën vendore.
Ajo thekson se falë koalicionit VLEN, gratë shqiptare sot nuk janë vetëm pjesëmarrëse në procese politike, por vendimmarrëse aktive në ekzekutiv dhe legjislativ. Në institucionet kryesore të vendit janë 10 gra profesioniste nga fusha të ndryshme – profesoresha, mjeke, juriste, pedagoge dhe politologe – të cilat përfaqësojnë një kthesë historike.
“Fuqizimi i gruas nuk është më premtim, por realitet. Sepse ia VLEN!”, thekson Azizi, duke e konsideruar këtë arritje si rezultat të përkrahjes së fuqishme të liderëve të koalicionit.
Ky moment shihet si një hap i madh për barazinë gjinore dhe përfshirjen e grave shqiptare në vendimmarrje, aty ku merren vendimet më të rëndësishme për të ardhmen e vendit.