Gjykata e Elbasanit ka dhënë sot (5 maj) masat e sigurisë për 9 nga të arrestuarit në flagrancë të operacionit antidrogë që u zhvillua fundjavën e kaluar, ku u godit një grup i organizuar kriminal.
Arrest me burg ishte masa e dhënë pas dëgjesës së palëve në seancë me dyer të mbyllura. Në total ishin 24 fletë-arresti, ku një pjesë e tyre ishin kapur më herët dhe 8 u shpallën në kërkim në 27 kontrolle banesash e objektesh që u bënë.
Në një njoftim zyrtar, gjykata bëri të ditur se vendimi është marrë në kuadër të transparencës dhe informimit të publikut, për shkak të interesit të lartë që paraqet kjo çështje. Seanca gjyqësore u zhvillua me kërkesë të Prokurorisë pranë kësaj gjykate, e përfaqësuar nga prokurori Gjergji Ceka, ndërsa trupi gjykues u drejtua nga gjyqtarja Suela Lika.
Pas shqyrtimit të provave dhe dëgjimit të palëve, gjykata vendosi të pranojë kërkesën e organit të akuzës, duke vlerësuar si të ligjshëm ndalimin e të gjithë personave nën hetim dhe duke caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg”.
“Gjykata e Shkallёs sё Parё e Juridiksionit tё Pёrgjithshёm Elbasan në kuadër të transparencës, me qëllim mirëinformimin e publikut në vlerësim të interesit të lartë publik, informon mbi pёrfundimin e shqyrtimit gjyqёsor dhe vendimmarrjen në lidhje me kёrkesёn e Prokurorisё pranё Gjykatёs sё Shkallёs sё Parё tё Juridkisionit tё Pёrgjithshёm Elbasan, përfaqësuar në seancë gjyqësore nga Prokurori z.Gjergji Ceka me objekt: “Vleftësim të ligjshëm të arrestimit dhe caktimin e masës së sigurimit’’ pёr personat nёn hetim”, thuhet mes të tjerash në vendimin e gjykatës.
Të arrestuarit, të identifikuar me inicialet I.Sh., N.S., G.Ç., J.I., A.B., L.F., R.Z., M.Ç. dhe R.H., akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e parashikuar nga nenet 283/1 dhe 283/2 të Kodit Penal, të cilat lidhen me forma të ndryshme të përfshirjes në këtë aktivitet të paligjshëm.
Sipas vendimit të gjykatës, për secilin prej tyre u konfirmua ligjshmëria e ndalimit dhe u urdhërua vendosja në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, me qëllim që të qëndrojnë në dispozicion të organit procedues gjatë vijimit të hetimeve.
Gjithashtu, gjykata ngarkoi Prokurorinë dhe policinë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi, ndërsa shpenzimet gjyqësore do të përballohen sipas parashikimeve ligjore.
Në vendim theksohet se palët kanë të drejtën e ankimit pranë Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda një afati 5-ditor nga momenti i njoftimit.
Ky vendim konsiderohet një hap i rëndësishëm në luftën kundër trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në qarkun e Elbasanit, ndërsa hetimet pritet të vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë.


