Gjykata Supreme e Kosovës bëri të qartë se nxjerrja e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat e qeverisë së Kosovës që janë deputetë është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese. Ky vendim i Gjykatës Supreme u kundërshtua ashpër nga qeveria e Kosovës në detyrë, që vendimin e cilësoi “arbitrar dhe të njëanshëm”. Çështja e funksionit të ministrave që njëkohësisht janë edhe deputetë u ngrit nga një vendim i Gjykatës Supreme, e cila e shpalli të paligjshëm dhe e shfuqizoi një udhëzim administrativ të nxjerrë nga ministri në detyrë i Financave në qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati.
Udhëzimi administrativ që kishte të bënte me shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale ishte miratuar nga ministri Murati, pak kohë pasi ai gjithashtu ishte betuar si deputet i legjislaturës së re. “Ishte i pakontestueshëm fakti se nga certifikimi zyrtar i rezultateve të zgjedhjeve më 27 mars, ministri Murati figuron si deputet i Kuvendit të Kosovës”, thuhet në vendimin e Supremes, ku po ashtu specifikohet se “Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe në ligjin vjetor për buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore normative të reja”.
Në vendimin e Gjykatës Supreme theksohet më tej, se “sipas nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar. Për pasojë, nxjerrja e Udhëzimit Administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese”, thuhet .
Gjykata Supreme u shpreh se nxjerrja e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat e qeverisë së Kosovës që janë deputetë shkel dispozitat kushtetueseFotografi: Office of the Supreme Court e Kosovo
Reagime pas vendimit
Qeveria e Kosovës në detyrë e kundërshtoi aktgjykimin e Gjykatës Supreme, duke e cilësuar atë si të pabazuar në ligj dhe arbitrar dhe tha se ndihet e “shqetësuar”. “Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj respektimit të rendit kushtetues dhe ligjor, si dhe ndaj funksionimit të pandërprerë të institucioneve të shtetit. Vendimet e institucioneve të drejtësisë duhet të respektojnë frymën e ligjit dhe të jenë të mbështetura në standarde të qarta juridike, e jo në interpretime të njëanshme apo të motivuara politikisht”, thuhet në reagimin e qeverisë.
Të menjëhershme ishin reagimet e partive politike opozitare të deritashme. Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se “Gjykata Supreme ka konstatuar qartazi se ministrat e certifikuar si deputetë, në çdo nxjerrje vendimi veprojnë në shkelje të rëndë ligjore, kanë uzurpuar dhe po ushtrojnë funksionet në mënyrën e paligjshme dhe arbitrare pas përfundimit të mandatit”. “Në emër të interesit publik dhe rendit demokratik kushtetues, Lidhja Demokratike e Kosovës deri më tani ka ushtruar 17 kallëzime penale kundër ish-ministrave që kanë vazhduar të marrin vendime si ministra në detyrë, ndonëse ishin certifikuar si deputetë”, thuhet në reagimin e LDK-së, e cila bëri të ditur se të mërkurën, siç thotë, “do ta deponojë këtë vendim të Gjykatës Supreme në Prokurori” si dëshmi e argumentimit në këto 17 kallëzime penale. Edhe politikanë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) thanë se, bazuar në vendimin e Gjykatës Supreme, tregohet qartë se “në këtë qeveri ligji injorohet për interesa personale. Diktatura nuk kalon”, shkroi deputetja Blerta Deliu-Kodra.
Në Kosovë kanë dështuar 48 tentativa për konstituimin e Kuvendit që do t’i hapte rrugë formimit të qeverisë së reFotografi: Press office of the Kosovo parliament
Shoqëria civile mirëpret qartësimin prej gjykatës
Organizatat e shoqërisë civile të cilat vazhdimisht protestojnë duke kërkuar konstituim Kuvendi që do t’i hapte rrugë krijimit të qeverisë së re, thonë se tashmë vendimi i Gjykatës Supreme, “qartësoi përfundimisht” se ministrat, tashmë me mandat si deputetë, nuk mund të vazhdojnë të ushtrojnë funksione ekzekutive pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. “Çdo vendim i marrë prej tyre pas 27 marsit është nul dhe bie ndesh me Kushtetutën, si dhe parimin e ndarjes së pushteteve. Po ashtu, Gjykata konfirmoi se anëtarët e Qeverisë nuk mund të marrin vendime, sepse teknikisht Qeveria aktuale nuk ka më mandat për t’i miratuar ato”, shkroi Eugen Cakolli, nga rrjeti i organizatave joqeveritare KDI.
Partitë politike opozitare vazhdimisht këmbëngulin se edhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk mund në të njëjtën kohë të jetë edhe deputet edhe kryeministër në detyrë, duke kërkuar nga ai që të largohet nga zyra. Kurti më herët ka deklaruar se “mandati katërvjeçar i Qeverisë së tij përfundoi më 23 mars”, duke pretenduar se sipas ligjit për Qeverinë, “nuk ka nevojë për një akt shtesë dhe formal të dorëheqjes nga posti” dhe se ai mund të vazhdojë si kryeministër në detyrë deri në formimin e qeverisë së re. E formimi i qeverisë së re, tash për tash, është i pamundur për faktin që kanë dështuar 48 tentativa për konstituim Kuvendi që do t’i hapte rrugë formimit të qeverisë së re të Kosovës.dw