“Rregullorja e detyrueshme për të gjitha institucionet arsimore të arsimit bazë, publike e private”
Lista e plotë e produkteve, nga çokollatat tek të skuqurat
Voltiza Duro – Ushqimet e pashëndetshme nuk do të lejohen të reklamohen më në mjediset e institucioneve arsimore të arsimit bazë. Ditën e djeshme ka hyrë në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare, urdhri i përbashkët i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrisë së Arsimit e Sportit. Në urdhrin që mban firmën e dy ministreve theksohet qartë se ky urdhër synon mbrojtjen e shëndetit e të mirëqenies së fëmijës nga informacione e materiale që i dëmtojnë ato. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot urdhrin si dhe listën e plotë të ushqimeve të konsideruara si të pashëndetshme për të miturit. “Në mbështetje të pikës 4, të nenit 102, të Kushtetutës; të pikës 1, të nenit 46, të ligjit 10138, datë 11.5.2009, “Për shëndetin publik”, të ndryshuar; të germës “d”, të pikës 2, të nenit 21, të ligjit nr. 18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, dhe të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 26, të ligjit nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë URDHËROJNË: Miratimin e rregullores “Për ndalimin e reklamimit të ushqimeve të pashëndetshme në mjediset e institucioneve arsimore të arsimit bazë”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij urdhri. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, institucionet në varësi të tyre, strukturat rajonale, institucionet arsimore vendore përgjegjëse për arsimin parauniversitar dhe institucionet arsimore parauniversitare për zbatimin e këtij urdhri. Ky urdhër hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare”,-thuhet në urdhrin e përbashkët të MSHMS dhe MAS.
Qëllimi i rregullores
Sipas nenit 1, rregullorja për ndalimin e reklamimit të ushqimeve të pashëndetshme në mjediset e institucioneve arsimore të arsimit bazë, ka për qëllim të përcaktojë rregullat e ndalimit të reklamimit të ushqimeve të pashëndetshme në mjediset e institucioneve arsimore të arsimit bazë, në kuadër të luftës kundër kequshqyerjes. Kështu rregullorja synon të realizojë mbrojtjen e shëndetit e të mirëqenies së fëmijës nga informacione e materiale që i dëmtojnë ato.
“Rregullorja bazohet në qasjen e sistemit të integruar të mbrojtjes së nxënësve nga mosha 6–15 vjeç, të cilët ndjekin arsimin bazë. Parimet e përgjithshme të sigurimit të të drejtave të fëmijës dhe, në veçanti, parimi i interesit më të lartë të fëmijës dhe interesit parësor të nxënësit, qëndrojnë në themel të Rregullores. Rregullat e përcaktuara në Rregullore bazohen dhe kanë për qëllim të plotësojnë kuadrin ligjor në fushën e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijës për sa i përket mbrojtjes së shëndetit, luftës kundër kequshqyerjes dhe realizimit të mbrojtjes së shëndetit e mirëqenies nga informacione e materiale që i dëmtojnë apo i vendosin në rrezik ata”,-nënvizohet në urdhër.
Ndërkohë kjo rregullore synon të plotësojë dhe rregullimet e legjislacionit për mbrojtjen e të miturve nga përdorimi i alkoolit, pijeve energjike dhe pijeve të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar, si edhe legjislacionin për mediat audiovizuale, në lidhje me komunikimet e papërshtatshme me natyrë tregtare që shoqërojnë ose përfshihen në programet për të mitur, të ushqimeve e pijeve që përmbajnë substanca të dëmshme ose të padobishme për shëndetin fizik të fëmijëve, veçanërisht ato me përmbajtje të lartë yndyre, acidi yndyror, kripe, sode e sheqeri, që janë tej normave të lejuara për një dietë ushqimore të shëndetshme për fëmijët.
Por cili reklamim do të jetë i palejueshëm? Termi “reklamë”, nënkupton çdo mesazh, përmbajtja e të cilit kontrollohet drejtpërdrejtë ose jo nga reklamuesi, i shprehur në çdo gjuhë dhe i komunikuar në çdo formë, dhe që në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë ndikon në zgjedhjen, mendimin e sjelljen e atyre të cilëve u drejtohet.
Fusha e zbatimit
Kjo Rregullore zbatohet në të gjithë territorin dhe është e detyrueshme për të gjitha institucionet arsimore të arsimit bazë, publike e private si dhe do të zbatohet për të gjitha reklamat që reklamohen në mjediset e institucioneve arsimore të arsimit bazë.
Ushqimet e pashëndetshme
Sipas rregullores konsiderohen ushqime të pashëndetshme ato me përmbajtje të lartë yndyre, acidi yndyror, kripe, natriumi e sheqeri që janë tej normave të lejuara, sipas përshkrimeve e normave të përcaktuara në shtojcën 1, bashkëlidhur kësaj Rregulloreje. Në zbatim të kësaj Rregulloreje, është e ndaluar që në mjediset e institucioneve arsimore të arsimit bazë të reklamohen ushqime që përfshihen në tabelë, bashkëlidhur kësaj Rregulloreje.
Masat zbatuese
“Njësia bazë zbatuese e kësaj Rregulloreje është institucioni arsimor, i cili ka përgjegjësinë kryesore për njohjen e zbatimin e saj. Institucioni arsimor ka për detyrë të sigurojë që nxënësit që ndjekin arsimin bazë nuk janë të ekspozuar ndaj asnjë reklame ushqimesh të pashëndetshme përgjatë kohës së frekuentimit të institucionit arsimor. Në rast të ekzistencës së një reklame ushqimesh të pashëndetshme, institucioni arsimor duhet të marrë menjëherë masa për heqjen e reklamës dhe njëkohësisht të njoftojnë menjëherë ministrinë përgjegjëse për arsimin, e cila vë në dijeni strukturat përgjegjëse.
Në rast të ekzistencës së një reklame ushqimesh për të cilën institucioni arsimor nuk është i sigurt nëse ushqimi që reklamohet është i pashëndetshëm, ai duhet të njoftojë menjëherë ministrinë përgjegjëse për arsimin dhe të konsultohet me strukturat rajonale të shëndetit publik”,-thuhet në rregullore. Sakaq, në mbështetje të qëllimit të kësaj Rregulloreje, institucionet arsimore të arsimit bazë duhet të angazhohen vetë dhe/ose në bashkëpunim me institucionet e strukturat e tjera të zhvillojë e zbatojë veprimtari për ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe të prindërve për ushqyerjen e shëndetshme.
Sipas nenit 7 të rregullores, reklamimi i ushqimeve të pashëndetshme nga ana e subjekteve tregtare që prodhojnë dhe/ose tregtojnë ato ushqime, si edhe nga ana e reklamuesve, nëse nuk është i njëjti subjekt, raportohet sipas legjislacionit përkatës. Është përgjegjësi e ministrisë përgjegjëse për arsimin që të njoftojë menjëherë strukturat përkatëse në ministrinë përgjegjëse për ushqimin në rast të reklamimit të ushqimeve të pashëndetshme në mjediset e shkollave, sipas informacionit të dërguar nga institucioni arsimor.
LISTA E USHQIMEVE TË PASHËNDETSHME, NDALOHET REKLAMIMI
1. Ëmbëlsira:
– çokollatë dhe produkte çokollate (çokollatë e thjeshtë ose e bardhë, vezë të mbushura me çokollatë, çokokrem);
– produkte të veshura me çokollatë (p.sh.: biskota pjesërisht ose plotësisht të veshura, fruta ose arra të veshura me çokollatë, akullore dhe drithëra të veshura me çokollatë);
– ëmbëlsirë, përfshirë ëmbëlsirat “pa sheqer” (p.sh.: çamçakëz, xhelatina, likuiricia, karamele të çdo lloji përfshirë: menta, lëpirëse sheqeri, ëmbëlsira me sherbet, marshmallows, dhe ëmbëlsira të tjera);
– çokollatë, kos ose fruta të thata dhe arra të veshura me sheqer;
– bareta drithërash, ëmbëlsira me fruta të përpunuara.
2. Ushqime të skuqura
-Ushqime të skuqura, përfshirë produktet e skuqura thellë në procesin e prodhimit.
-Kjo përfshin për shembull: patatina, salsiçe të skuqura, kofshë pule të skuqura, petulla etj.
3. Ushqime të aromatizuara (savoury snacks):
*Ushqime të aromatizuara me përmbajtje yndyre, yndyre të ngopur, natriumi dhe sheqeri mbi kriteret e mëposhtme:
– madhësi paketimi të barabartë ose më të madhe se 25 g;
– 22 g ose më shumë yndyrë për 100 g;
– 2 g ose më shumë yndyrë të ngopur për 100 g; – 0.6 g ose më shumë natrium për 100 g;
– 3 g sheqer ose më shumë në total për 100 g;
4. Pijet e mëposhtme:
– pijet freskuese (me ose pa gaz), duke përfshirë ujëra me aromë;
– pijet e cilësuar si “pa sheqer” (me ose pa gaz) përfshirë ujërat me aromë;
– pije të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar;
– lëngjet e frutave të ëmbëltuara me sheqer të shtuar;
– lëngjet e perimeve me sheqer ose kripë të shtuar;
– lëngjet e ëmbla të koncentruara, të bëra ose të aromatizuara me lëngje frutash, të cilat hollohen për të bërë një pije;
– qumësht i plotë;
– pijet energjike.