Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet të dielën, në 35 komuna. Të drejtë vote kanë 833.710 qytetarë që këtë të drejtë do të mund ta shfrytëzojnë në 1.517 vendvotime.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve filloi me shpërndarjen dhe pranim-dorëzimin e materialit të besueshëm zgjedhor deri te komisionet komunale zgjedhore për votimet e së dielës.
Në pajtim me afatin zgjedhor, KShZ-ja materialin zgjedhor e dorëzon deri te komisionet komunale zgjedhore më së voni në afat prej 72 orëve para ditës së zgjedhjeve, ndërsa komisionet komunale obligohen që një ditë para ditës së përcaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve ta dorëzojë materialin zgjedhor në këshillat zgjedhorë.
Fushata zgjedhore për rrethin e dytë përfundon më 27 tetor në orën 24, pas çka vijon heshtja zgjedhore, e cila zgjat deri në përfundimin e zgjedhjeve në orë 19 më 29 tetor.
Në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale është zgjedhur kryetari i Qytetit të Shkupit dhe të 45 komunave.