Para ngajrjeve të 27 prillit, kur një grup protestuesish të dhunshëm sulmuan Parlamentin, kryeparlamentari Trajko Veljanovski ka komunikuar së paku me katër deputetë shqiptarë, njoftojnë burime të KDP-së.
Me urdhër të Prokurorisë, para disa ditëve policia i ka konfiskuar telefonin e tij të modelit Iphone, me qëllim të hetimit të përmbajtjes së porosive të cilat i ka shkëmbyer Veljanovski me deputetët dhe të punësuarit tjerë në Parlament, e që kanë lidhje me organizimin e veprës penale që u karakterizua si “terrorizëm”.
Burimet thonë se problemi që ka dalë për shërbimet policore është pamundësia që të dekodohet ky lloj telefoni, kështu që përmbajtja e komunikimeve ende mbetet e panjohur.
Sidoqoftë, pritet që deputetët e arrestuar dhe organizatorët e protestave që dëshmojnë për të gjithë të involvuarit në ngjarjet e 27 prillit, kundër të cilëve poashtu do të ngrihet padi penale “pjesëmarrje në grupim terrorist”.
Përveç Veljanovskit, celulari i është marrë edhe deputetit të RDK-së, Vesel Memedi. Edhe pse hetimet janë në vazhdim, Memedi doli me deklaratë se në celularin e tij nuk është gjetur asgjë.
“Në këtë aksion të organeve të drejtësisë për zbardhjen e së vërtetës rreth ngjarjeve brenda parlamentit, ishte i përfshirë edhe emri im, si një nga të dyshuarit e ndërlidhur me këtë ngjarje. Kam heshtur qëllimisht, që ti lihet hapsirë organeve të drejtësisë ta bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale, pa kurfar pengese nga jashtë. Edhe pse emri im në këtë ngjarje u perfshi pa të drejtë, më gëzoj fakti që erdhi koha që për fajësinë apo pafajësinë e secilit prej nesh, të flasin organet kompetente, e jo rrugaçët dhe shpifësit. Ndjehem krenarë që në asnjë mënyrë me asnjë fakt, nuk jamë i përfshirë në kurfar aktiviteti kundërligjor, dhe pres që organet e drejtësisë edhe publikisht ta vërtetojnë pafajësinë time, që bashkë me anëtarët besnik të RDK-së dhe familjarët e dashamirët e mi, të ndjehemi edhe më krenarë”, ka deklaruar Memedi pas aksionit.
Ndërkohë, të martën pritet që gjashtë deputetët e VMRO-DPMNE-së të dyshuar për “cenim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”, të paraqiten para gjykatësit hetues.
Gjykata Penalen në Maqedoni ka pranuar njoftimin nga Kuvendi, me çka i hapet rruga organit hetues për të proceduar më tej lëndën.
Sipas qëndrimit të Penales, të gjitha organet kompetente janë njoftuar në kohë dhe se pritet sjellja dhe paraqitja e deputetëve para gjykatësit të procedurës paraprake.
Ndërkohë, Ministria e Brendshme është duke kërkuar edhe 6 persona të cilët deri më tani ishin të pakapshëm për policinë. Jo zyrtarisht, në mesin e tyre është edhe deputeti Lupço Dimovski.
Të dyshuarit e pakapshëm për policinë Aleksander Vasilevski- Ninxha, Nikolla Mitrovski- Kolo, Dejan Davidovski- Desho, Mitre Pitropovski, Mladen Dodevski dhe Lupço Dimovski, raporton Alsat.
Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski thotë se dikasteri i tij po punon në këtë drejtim.
“Nesër do të paraqiten ne gjykatë dhe ne do të shohim se cili do të jetë vendimi i tyre, do të paraqiten ose jo pasi një numër i tyre gjenden brenda vendit. Ndërkaq për të tjetër të cilët nuk janë siguruar apo gjetur në gjykimin e procedurës paraprake, punojmë dhe besoj se shumë shpejtë do të dorëzohen para gjyqit. I kërkojmë 6 persona. Nuk dua të flas për raste individuale por dua të them se ato persona do t’i sigurojmë kur do të duhet të dorëzohen para gjykatës”, deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.
Të premten që lamë pas, Kuvendi votoi heqjen e imunitetit për gjashtë deputet. Në mesin e tyre janë: Kërsto Mukoski, Sashe Vasilevski, Johan Tarçullovski, Lupço Dimovski, Ljuben Arnaudov dhe Zhaklina Peshevska. Për të njëjtën vepër, gjykata i caktoi masën e paraburgimit ish drejtorit të BSP-së, Mitko Çavkov, dy udhëheqësve të protestave Bogdan Ilievski dhe Boris Damovski, ish drejtorit të Operës dhe Baletit Igor Durllovski, dy agjentëve Munir Pepiç dhe Oliver Radullov si dhe ish shefit të sigurimit të Trajko Veljanovskit, Goran Gjoshevski.