Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës me një kallëzim për falsifikim dokumentesh, lidhur me kallëzimin e bërë ndaj tij në SPAK nga një person anonim i identifikuar si Nesti Angoni.
Në kërkesën drejtuar organit të akuzës, kryebashkiaku thekson se kemi të bëjmë me një rast falsifikimi, pasi ky person nuk ekziston në regjistrin kombëtar të gjendjes civile. Po ashtu, thekson Veliaj, dokumenti si kallëzim i dërguar në SPAK është paraqitur në formën e një kallëzimi të identifikuar përmes përdorimit një identiteti të rremë, dhe i shoqëruar me nënshkrim fizik.
Ky nënshkrim, argumenton ai, nuk i përket një personi real, por është përdorur për të materializuar një identitet të rremë.
“Në fund të dokumentit, poshtë emrit “Nesti Angoni”, është vendosur një nënshkrim me shkrim dore. Ky fakt tregon qartë se personi që ka hartuar dokumentin nuk është kufizuar në paraqitjen e informacionit në mënyrë anonime, por ka zgjedhur të krijojë një identitet të rremë dhe ta materializojë atë përmes një nënshkrimi fizik, duke e paraqitur dokumentin si të ardhur nga një subjekt konkret dhe i identifikueshëm. Ky veprim përbën një paraqitje të rreme të rrethanave faktike përpara një organi publik, me qëllim ndikimin në vendimmarrjen e tij.”, thuhet në shkresën e Veliajt.
Po ashtu, sipas tij, dokumenti përmban pretendime të përgjithshme dhe të paverifikuara mbi marrëdhënie dhe përfitime të mundshme të tij. Veliaj argumenton se procedimi penal i nisur nga SPAK ndaj tij është i papranueshëm sepse është vënë në lëvizje nga elementë, që sipas tij, përbëjnë vepër penale. Ai thotë se hartimi dhe nënshkrimi i dokumentit në emër të një identiteti të rremë përbën vepër penale dhe duhet që të hetohet.
“Pra, mungesa e një personi real me këtë emër nuk e përjashton përgjegjësinë penale, por është pikërisht një tregues i mënyrës së kryerjes së veprës, nëpërmjet simulimit të identitetit, me qëllim shmangien e identifikimit dhe rritjen e besueshmërisë së dokumentit të paraqitur. Në këtë kuptim, subjekti i veprës penale nuk është personi fiktiv i përdorur në dokument, por personi real që ka hartuar dhe nënshkruar këtë dokument në emër të një identiteti të rremë, i cili mbetet për t’u identifikuar nëpërmjet hetimit penal. Për rrjedhojë, elementi i subjektit të veprës penale rezulton i plotësuar, pasi ekziston një autor real, edhe pse aktualisht i paidentifikuar, i cili ka kryer veprimet materiale të përshkruara më sipër.”, shton ai.
Kryebashkiaku thotë se rasti ndaj tij nuk është kallëzim penal i rregullt sepse nuk përmbush asnjë standart formal dhe procedurial për t’u quajtur i tillë.
“Në asnjë rast nuk mund të konsiderohet e pranueshme që një procedim penal të vihet në lëvizje mbi bazën e veprimeve që në vetvete paraqesin elementë të një vepre penale. Pranimi i një logjike të tillë do të çonte në legjitimimin e përdorimit të mjeteve të kundërligjshme për të inicuar ndjekje penale, duke deformuar rëndë funksionin e drejtësisë dhe duke cenuar parimet themelore të shtetit të së drejtës.”, shton ai.
Veliaj kërkon gjithashtu që të identifikohet personi real që qëndron pas emrit “Nesti Angoni”.
“Për sa më sipër, kërkoj: i. regjistrimin e procedimit penal për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal si dhe cdo vepër tjetër relevante që del gjatë hetimit. ii. identifikimin e autorit real që ka hartuar dhe nënshkruar dokumentin “Të dhëna për SPAK””, thotë ai.


