Prokuroria Themelore Publike ka hapur procedurë hetimore për vrasjen e të riut, Nikolla Sazdovski. Jozyrtarisht mësohet se sot dhe nesër në prokurori do të merren në pyetje disa dëshmitarë kyç që kanë qenë të pranishëm në momentin e incidentit mes Sazdovskit dhe grupit tjetër, me ç’rast po vazhdon edhe grumbullimi i provave tjera materiale.
Nga Prokuroria Publike informojnë se në bazë të dëshmive dhe rezultateve të autopsisë më pas do të klasifikohet vepra penale për këtë rast.
“Është lëshuar urdhër për kryerjen e procedurës hetimore kundër tre personave për kryerjen e veprës penale “dhunë” nga neni 386, paragrafi 6, në lidhje me paragrafin 3 dhe 1 të Kodit Penal. Në paragrafin 6 është theksuar vdekja e shkaktuar e personit nga kryerja e veprës penale me dhunë. Prokurori Publik ka lëshuar urdhër për kryerjen e një autopsie të personit të vdekur”,- thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore Publike.
21 vjeçari Sazdovski u sulmua më 29 qershor në stacionin e autobusëve në Autokomandë të Shkupit dhe pas 10 ditësh të trajtimit në spital ai dje ndërroi jetë.
Disa tifozë të grupit “Komitët” u mblodhën në parkun e Qytetit për t’i dhënë bashkërisht lamtumirën e fundit Sazdovskit.
MPB ditë më herët informoi se për rastin në fjalë janë arrestuar dy persona, me ç’rast u është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa janë në kërkim të personi të tretë i cili është i pakapshëm.
Në prag të dy ndeshjeve ndërkombëtare për eliminatoret e Ligës së Kampioneve dhe asaj të Ligës së Europës të cilat do të luhet në Shkup, nga MPB informojnë se do të ndërmerren masa shtesë për mbajtjen dhe ruajtjen e qetësisë dhe rendit publik.
MPB u bën thirrje qytetarëve që do t’i ndjekin ndeshjet Shkëndija – TNS dhe Rabotniçki – Honved, të mos shkaktojnë dhunë dhe vepra tjera penale.
Kryeministri Zaev në reagimin e tij për vdekjen e 21-vjeçarit, shkruan se urrejtja dhe dhuna nuk i përshtaten Maqedonisë dhe janë në dëm të drejtpërdrejtë të së ardhmes së shtetit dhe rinisë.
“Apeloj që të gjithë të përmbahemi nga gjuha e urrejtjes dhe jotoleranca. Vetëm kështu do t’u japim mundësi institucioneve që ta kryejnë punën e tyre, për të cilën paguhen nga qytetarët. Drejtësia dhe toleranca në shoqëri janë qëllimet tona të përbashkëta, të angazhohemi plotësisht dhe me përgjegjësi t’i arrijmë”,- shkruan Zaev.
REXHEP QAMILI