Një foshnje e sapolindur ka ndërruar jetë në Gjinekologjinë e Manastirit, ndërsa Ministri i shëndetësisë, Fatmir Mexhiti tha se do të hetohet plotësisht rasti dhe do të ketë përgjegjësi nëse do të konstatohen lëshime.
Deri tani nuk dihet se çfarë e shkaktoi vdekjen e foshnjës, e cila kishte lindur me takikardi, nga nëna e saj 24 vjeçe nga Manastiri. Se si është trajtuar gjatë lindjes – do të përcaktohet nga komisionet e Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, përcjell INA.
“Sot ishim këtu për të parë se çfarë ishte rasti. Nesër do të dërgojmë një komision inspektorësh për të përcaktuar se cili ishte shkaku. Sipas raportit fillestar ka lindur i gjallë, me takikardi, ka pasur reanimacion pulmonar-kardiak, gjithçka do ta themi më tej kur të kemi rezultate përfundimtare nga institucionet”, theksoi ministri Mexhiti.
Ai shtoi se kishte ardhur për të vizituar spitalin për të parë se cili ishte faji dhe çfarë mund të përmirësohej.
“Ne jemi këtu për të parë se cila është e meta dhe çfarë mund të përmirësohet. Ngushëllimet e mia më të thella nënës së re për foshnjën e humbur”, shtoi ministri Mexhiti.
Ndërsa për rastin që tronditi opinionin tre javë më parë, kur pesëvjeçarja Jana ndërroi jetë gjatë trajtimit mjeksori, Mexhiti nënvizoi se po pritet raporti konkret nga autopsia dhe më pas do të ketë hollësi.