Prokuroria ka nisur hetimet për vdekjen e dy punëtorëve në Shipkovicë të Tetovës. Kanë kërkuar dokumentacionin e plotë të kompanisë dhe dokumentet e nevojshme nga Komuna e Tetovës.
“Prokurori publik nga prokuroria e Tetovës ka kryer hetim në Shipkovicë, ku gjatë ndërtimit të murit dje kanë ndërruar jetë dy punëtorë. Është dhënë urdhër për obduksion të trupave të vdekur, ndërsa Prokuroria themelore ka dhënë urdhër që të sigurohet dokumentacioni i plotë i subjektit juridik që i ka angazhuar punëtorët, si edhe dokumentacionin nga komuna në lidhje me ndërtimin e murit”, thonë nga Prokuroria Themelore.
Dje gjatë ndërtimit të një muri mbrojtës për shmangien e vërshimeve, në orët e pasdites muri u shemb dhe zuri dy punëtorë të cilët humbun jetën. Bëhët fjalë për A.A.(63) nga Selca e Tetovës dhe J.C.(50) nga Shqipëria.
Zjarrfikësit e Tetovës dhe kompania ishin angazhuar që të nxjerrin viktimat nga rrënojat.
“Këtu është duke u ndërtuar muri mbrojtës që kalon në mes të fshatit Shipkovicë, dhe një pjesë e murit është shemb dhe ka zënë dy punëtorë që kanë qenë të angazhuar në atë pjesë. Prokuroria është këtu. Ishte edhe ndihma e parë që konstatoi vdekjen dhe ne si zjarrfikës bashkë me kompaninë që ka qenë e angazhuar bëjmë përpjekje që të nxjerrim trupat. Në fakt në vërshimet e 2015 kishte edhe viktima tjera në këtë vend dhe përbën rrezik”, tha Avni Agmeti, komandat i NJTKZ – Tetovë.
Projekti i digave mbrojtëse është duke u financuar nga ana e UNDP-s ndërsa, ky mur u premtua para shtatë vitesh.



