Po keqësohet vazhdimisht gjendja e gjashtë pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës të cilët të parët, nga dita e diel (para 10 ditëve) u futën në grevë urie në burgun e Shutkës. Familjarët e tyre thonë se ata tashmë kanë humbur gati nga 10 kilogramë dhe se po përballen me probleme të shumta shëndetësore. Aspak më e mirë nuk është as gjendja e tre pjesëtarëve tjerë, të cilët u futën në grevë katër ditë me vonë.
“Mirëpo janë të vendosur që të vazhdojnë grevën, deri në përmbushjen e kërkesës për hetime ndërkombëtare dhe gjykim ndërkombëtar. Nuk e kanë ndërmend të lëshojnë pe”, ka thënë për Gazetën Lajm familjari i njërit prej të burgosurve.
Ai thekson se pjesëtarët e Grupit të Kumanovës, familjarët dhe mbrojtja e tyre ka siguruar argumente të fuqishme që ndriçojnë atë që ndodhi më 9 dhe 10 maj, por nuk mund t’i shpalosin para gjykatave në Maqedoni, sepse nuk kanë besim te ta.
“Familjarët tanë kanë informacione të sigurta se çka ka ndodhur he si ka ndodhur. Pas kësaj periudhe ata i posedojnë të gjitha informacionet lidhu me rastin e Kumanovës, si është inskenuar dhe kush e ka inskenuar. Këto dëshmi mund t’i nxjerrin vetëm para një gjykate të pavarur ndërkombëtare. Nuk i besojnë më as Maqedonisë, as Kosovës, e as Shqipërisë”, thekson familjari i njërit prej pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës.
Sipas tij, në ngjarjet e Kumanovës ka gisht edhe një ish oficer ushtarak në ambasadën e Shqipërisë në Shkup.
“Është i njëjti oficer që i ka ndihmuar Nikolla Gruevskit të ikë përmes Shqipërisë në Mal të Zi, prej ku më pas ka dalë në Serbi dhe Hungari”, thekson ai. /Gazeta Lajm