Në Gjykatën Penale në Shkup sot vazhdon gjykimi për ngjarjet në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill të vitit të kaluar. Kurse, në Kuvend për sot VMRO-DPMNE-ja opozitare ka paralajmëruar se do të dorëzojë propozim ligj për amnisti për të gjithë të involvuarit në Kuvend më 27 prill të vitit të kaluar.
Në seancën e fundit , më 25 tetor, të gjithë të pandehurit për “27 prillin” refuzuan ta komentojnë njoftimin e kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Kristian Mickoski, se do të ofrojë një ligj për amnisti, që do t’i shpëtojë ata nga burgu për ngjarjet e përgjakshme vitin e kaluar në Kuvend.
Kurse në seancë në Gjykatën Penale u shqyrtuan incizimet nga kamerat e sigurisë para kabinetit të ish kryetarit të Kuvendit Trajko Veljanovski dhe nga vende tjera në Kuvend.Të pandehurit vazhduan ti shikojnë video materialet të cilat prokuroria për krim të organizuar i ofroi si dëshmi. Në një nga pamjet e kamerave të sigurisë shihet, se si personat e pandehur me maska mblidhen përpara zyrës së kryetarit të atëhershëm të Parlamentit, Trajko Veljanoski. Megjithëse turma është përpara zyrës së tij, nuk ka sulm ndaj sigurimit dhe bashkëpunëtorëve. Në video shihet si i pandehuri Nikola Mitrevski – Koljo e nxjerr maskën dhe hyn në zyrën e kryetarit të parlamentit. Qëndron një kohë të shkurtër. Del dhe fillon ta drejtojë turmën dhe personat me maska në kokë. Në korridor janë edhe të pandehurit Goran Gjoshevski – Levi, kreu i sigurimit të Veljanoskit, si dhe e pandehura Elena Bozhinovska, atëherë e punësuar në Kuvend. Të dy iu ndihmojnë protestuesve për ta gjetur qendrën për konferencat e shtypit. Në një moment, sigurimi i ish-kryetarit të kuvendit iu jep ujë të pandehurve Igor Jug dhe të tjerëve që janë të maskuar dhe me identitet të mbrojtur.
Për ndodhitë në Kuvend më 27 prill të vitit 2017 akuzohen 33 persona, 31 nga të cilët përgjigjen për rrezikim terrorist të rendit kushtetues të shtetit, ndërsa dy për nxitje.
Në bankën e të akuzuarve në gjykatë janë Luben Arnaudov, Sasho Vasilevski, Kërsto Mukoski, Lupço Dimovski, Johan Tarçullovski, Mitko Çavkov Mitko Peshovski, Dushko Llazarov, Goran Joshevski – Levi Oliver Popovski, Oliver Radullov, Sasho Markovski, Munir Pepiq, Abdulfeta Alimi, Elena Docevska – Bozhinovska, Ivan Cvetanovski Boris Damovski, Bogdan Ilievski – Betmen, Vllado Jovanovski, Igor Durllovski, Stefan Mladenovski, Mihail Mlladenovski, Zakaria Simovski, Mladen Dodevski, Jane Çento, Goranço Angellovski, Igor Jug, Ilia Sllaveski, Vlatko Trajkov, Viliam Mihajllovski, Nikolla Mitrevski – Koljo , Aleksandar Vasilevski – Ninxha dhe Mitre Pitropovski./Alsat-m.tv

