Vazhdon bojkoti i mësimit në Shkollën Fillore “Kemal Ataturk” në Vërtekicë. Nxënësit e kësaj shkolle, tashmë për të katërtën javë me radhë bojkotojnë mësimin për shkak se nuk duan që të pezullohet një nga dy paralelet ekzistuese, pas çka nxënësit e klasës së parë, dytë dhe të katërt do të duhet të ndjekin mësimin në një klasë të vetme.
Banorët e Vërtekicës kërkojnë që të rishqyrtohet vendimi i komunës, pasi vlerësojnë se ky vendim është marrë politikisht. Nga ana tjetër kryetari i komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku, ka deklaruar se kjo nuk është hera e parë që komuna merr vendime të tilla, duke shtuar se të gjitha vendbanimet ku është zvogëluar numri i nxënësve është vepruar njësoj.
Ai ka thënë se janë të detyruar për një gjë të tillë për shkak të mjeteve të kufizuara të komunës dhe në këtë mënyrë do të mundësohet zvogëlim i shpenzimeve. Në fshatin Vërtekicë në klasë të parë janë dy nxënës, në klasë të dytë një nxënës, në klasë të tretë nuk është asnjë nxënës, ndërkaq në klasën e katërt janë katër nxënës. /SHENJA/
‘Foto Ilustrim’