Qindra protestues janë mbledhur të dielën para konsullatës britanike në Hong Kong. Ata janë dëgjuar duke brohoritur “nuk do të dorëzohemi” dhe kërkuan nga Britania e Madhe që t’i dalë në ndihmë ish-kolonisë së vet.
Protestuesit gjithashtu brohorisnin “qëndrojmë për liri, qëndrojmë me Hong Kongun”, përderisa kërkonin vëmendje ndaj thirrjeve të tyre për demokraci në territorin me autonomi të kufizuar, e cila i ishte dhënë me rastin e marrjes së kontrollit politik nga Kina në vitin 1997.
Hong Kongu është përgatitur edhe për një ditë tjetër të trazirave, pas skenave të tmerrshme të së shtunës në përleshjen e protestuesve anti-qeveritarë dhe protestuesve përkrahës të Kinës. Kjo është fundjava e pesëmbëdhjetë me radhë e protestave masive, që e kanë futur qytetin në krizën më serioze politike në dekadat e fundit.
Protestuesit po kërkojnë nga Britania e Madhe që t’i bëjë presion Kinës për ta lënë në fuqi sistemin “një shtet, dy sisteme”. Ata besojnë se Kina ka filluar t’i shkelë pikat e kësaj kornize. Në anën tjetër, autoritetet kineze kanë thënë se marrëveshja mes Britanisë e Kinës është dokument historik pa rëndësi praktike.
Zyrtarët kinezë e kanë sulmuar Britaninë e Madhe për shkak të dhënies së sinjalit për përkrahje të Hong Kongut. Një zëdhënëse e zyrës së jashtme të Mbretërisë së Bashkuar kishte deklaruar në qershor se marrëveshja mes dy vendeve është ligjërisht e obligueshme dhe se ajo mbetet në fuqi si në ditën e parë, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.




