Mijëra qytetarë të Shkupit vazhduan edhe sonte me protestën e iniciuar nga Shoqata “Për Maqedoni të bashkuar” kundër platformës shqiptare, si dhe në mbështetje të vendimit të presidentit Gjorgje Ivanov, i cili refuzoi të mandatojë liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, për të formuar qeverinë e re.
Ata në shenjë proteste u tubuan para godinës së Qeverisë, pas së cilës marshuan në drejtim të zyrës kombëtare të presidentit Ivanov, ku dhe mbajtën fjalime duke apeluar që mos ta ndryshojë vendimin e tij.
Një ndër kërkesat kryesore të organizatorëve është refuzimi i Ligjit të dygjuhësisë në tërë territorin e Maqedonisë, sepse sipas tyre, përdorimi i gjuhës shqipe në tërë territorin e vendit do të çojë Maqedoninë drejt ridefinimit të saj si dhe do të dëmtojë sovranitetin dhe pavarësinë e shtetit.
Edhe pse organizatorët vazhdimisht apelojnë që në protestë të mos shfaqen simbole etnike apo kombëtare, nuk mungojnë brohoritjet dhe simbolet nacioanaliste ndaj popullit shqiptar.
Marshi protestues përfundoi në mënyrë paqësore para godinës së Kuvendit, ndërsa organizatorët paralajmëruan se protestat do të vazhdojnë edhe ditëve të ardhshme. Iniciativa “Për Maqedoni të bashkuar” filloi me protesta që nga dita e hënë, ndërkohë protesta me kërkesa të njëjta mbahen edhe në disa qytete tjera të Maqedonisë.

