Rasti i dhunës mes të miturve që ndodhi javën e kaluar në Komunën e Sarajit vazhdon të trajtohet nga institucionet kompetente, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë ende në proces.
Nga shkolla fillore “Dituria” bëjnë të ditur se siguria në këtë shkollë ka nivelin e duhur megjithatë rastet e dhunës mes të miturve tregojnë se bashkëpunimi i vazhdueshëm mes prindërve, mësimdhënësve dhe nxënësve është thelbësor për parandalimin e situatave të tilla.
“Mendoj që çdo incident duhet trajtuar me seriozitet dhe përgjegjësi, pa paragjykime. Shkolla ka siguri të lartë, kemi rregulla të qarta sigurie në bashkëpunim me drejtoreshën. Edhe pse rasti ka ndodhur jashtë oborrit të shkollës dhuna asesi nuk arsyetohet por jemi në monitorim maksimal të ngjarjes. Fatkeqësisht, bashkëpunimi me prindërit është pak i dobët. Trekëndëshi prind-nxënës-arsimtar është shumë i rëndësishëm. Nëse kemi bashkëpunim të vazhdueshëm nuk besoj që arrijmë deri te këto probleme”, tha Meral Ademi, mësimdhënëse.
Edhe nxënësit shprehin shqetësim për rastin dhe theksojnë se konfliktet duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe jo përmes dhunës, duke vënë në pah rëndësinë e komunikimit me prindërit, mësimdhënësit dhe shërbimet profesionale të shkollës.
“Ne besojmë në zgjidhjen e problemeve se problemet nuk duhet të zgjidhen me dhunë por me bisedë. Ne jemi shumë të rinj që të bëjmë gjëra të tilla, duhet të koncentrohemi në mësim”, u shpreh një nxënës.
“Ne gjithmonë kemi mësuar që respekt dhe bashkëpunim të kemi mes veti. Sidomos mësuesit na kanë folur për këto tema dhe besoj se të gjithë duhet të kemi bashkëpunim mes vete”, theksoi një nxënës.
“Çfarëdo lloj problemi të kemi duhet të shkojmë tek pedagogu apo psikologu që t’ia themi dhe ta zgjidhim më mirë”, tha një nxënës.
Pak ditë më parë në shkollën fillore Dituria në Saraj 6 nxënës të moshës deri 15 vjeçare rrahën brutalisht 2 nxënës të tjerë. Për 5 prej nxënësve dhunues vazhdon procedura hetimore dhe masat e kujdesit, ndërsa njëri prej tyre meqë është më i ri se 14 vjeç do të vijojë të ndiqet në procedurë të ndarë. / Alsat.mk


