Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të vazhdojë gjendjen e krizës për shkak të rrezikut të mundshëm për furnizimin me naftë dhe derivate të naftës. Vendimi do të jetë në fuqi nga 21 korriku deri më 21 tetor njoftona INA.
Me këtë vendim, institucionet do të kenë mundësi të reagojnë shpejt në rast të ndryshimeve të papritura të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, ndërsa synohet të garantohet furnizim i vazhdueshëm dhe i pandërprerë me produkte energjetike në vend.
Gjithashtu, masa synon të zbusë pasojat e mundshme negative mbi buxhetin e qytetarëve dhe ekonominë vendore.
“Qëllimi i këtij vendimi është që Qeveria të ketë një mekanizëm të përshtatshëm ligjor për reagim të shpejtë dhe efikas, me qëllim ruajtjen e stabilitetit në furnizim, zbutjen e pasojave nga çrregullimet e mundshme në treg dhe mbrojtjen e interesave dhe standardit jetësor të qytetarëve dhe ekonomisë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Nga Qeveria bëjnë të ditur se do të vazhdojnë të ndjekin zhvillimet në tregun energjetik vendor dhe ndërkombëtar, me qëllim marrjen në kohë të masave të reja mbrojtëse nëse rrethanat e kërkojnë.
Propozimi për vazhdimin e gjendjes së krizës, pas përfundimit të procedurave qeveritare, do t’i dërgohet Kuvendit, ku deputetët do ta shqyrtojnë dhe do të votojnë për vendimin në përputhje me kompetencat ligjore.
Kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve dy ditë më parë, përmendi situatën e tensionuar në Gjirin Persik dhe tha se Qeveria po i parashikon zhvillimet e mundshme.
Ai deklaroi se tashmë janë plotësuar kushtet që nga e hëna të ketë sërish ulje të akcizave për benzinën pa plumb dhe naftën.
Ndryshe, edhe më herët Qeveria kishte marrë vendim për vazhdimin e gjendjes së krizës, me afat deri më 20 korrik, për shkak të rreziqeve të mundshme në tregun energjetik./INA/



