PETKOV: ZGJIDHJA E KONTESTIT DUHET TË KALOJË DISA FILTRA NË BULLGARI
Komisioneri i BE-së për zgjerim, Oliver Varhelji, mbrëmë në Sofje ka bërë përpjekje të re për “gjetjen e bazës së përbashkët” për fillim eventual të negociatave aderuese të Shkupit dhe të Tiranës me Bashkimin Evropian, por nga ana e autoriteteve bullgare nuk ka sinjale për tejkalim të mundshëm të situatës. Ministrat e Mbrojtjes, Dragomir Zakov dhe Sllavjanka Petrovska, sot flasin për përfitimet nga partneriteti në mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut në NATO për stabilitetin e rajonit, pa përmendur se pas luftës në Ukrainë edhe partneritetin me BE-në e shohin si interes të sigurisë, raporton KlanMacedonia.
Pas vizitës së Komisionerit për Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelji në Sofje, Kryeministri bullgar Kiril Petkov I pyetur nëse është obliguar që t`I jep “dritë jeshile” Maqedonisë së Veriut për nisje të negociatave me BE-në, është përgjigjur se heqja e vetos fillimisht duhet të kalojë nëpër disa filtra.
“Unë si Kryeministër nuk marr asnjë vendim vetëm, në qoftë se diçka ndodh në lidhje me këtë temë së pari duhet të ndodhë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, më pas në nivel të Qeverisë, të kalojë në kabinetin e koalicionit, të hyjë në Parlament dhe atje të zgjidhet, pastaj të merret vendim.” – Kiril Petkov, kryeminister i Bullgarise.
Komenti I Kryeministrit bullgar vjen pas vizitës në Sofje të Komisionerit Varhelji I cili pret që në afat prej tri javëve Bullgaria të pajtohet me heqjen e vetos dhe me nisjen e negociatave Maqedoni e Veriut – BE.
“Pas tri javësh do të kthehem në Sofje që të gjejmë gjuhë të përbashkët dhe mbështetje nga Bullgaria për nisjen e procesit negociues në Qershor me RMV-në” – ka shkruar Varhelji në Tuitter.
Ndërkaq, në takimin e sotëm dypalësh të Ministrave të Mbrojtjes, Dragomir Zakov dhe Sllavjanka Petrovska, e cila sot në mëngjes udhëtoi drejt Sofjes, për marrëdhëniet dypalëshe të Maqedonisë së Veriut dhe të Bullgarisë, partnerë në NATO, është biseduar sikur nuk ekziston problemi me veton në BE.
“Ky është sinjal i jashtëzakonshëm se si vende anëtare të NATO-s, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut kanë rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në rajon, për mbështetjen e stabilitetit dhe të sigurisë, sepse ne kemi detyrë shumë të qartë para nesh dhe para gjeneratave të ardhshme – kurrë më Ballkani Perëndimor të mos përmendet si “fuçi baruti në Evropë”.” – Dragomir Zakov, minister i Mbrojtjes, Bullgari.
Ministrja Petrovska ka numëruar disa fusha për bashkëpunim me Bullgarinë në fushën e armatës.
“Në këtë mënyrë në fakt tregojmë se ndërtojmë aleancë të fuqishme, e projektojmë sigurinë rajonale dhe e kështu e krijojmë të ardhmen tonë. Pikërisht kjo i duhet Evropës sot, e cila me invazionin rus në Ukrainë ka hyrë në realitet të ri të sigurisë që e imponon nevojën për integrim të plotë dhe për bashkim.” – deklaroi Sllavjanka Petrovska, ministre e Mbrojtjes RMV-së.
Pikërisht këtë “integrim të plotë të Ballkanit Perëndimor me pjesën tjetër të kontinentit” Sofja zyrtare tashmë dy vite e pengon me veton për Maqedoninë e Veriut. Kancelari gjerman Olaf Sholc paralajmëroi se edhe ai së shpejti do ta vizitojë rajonin me mesazhin se “sot, më shumë se kurdoqoftë, integrimi i gjashtë shtetve të Ballkanit Perëndimor është interes strategjik i Brukselit”, si hap kundër ndikimit të fuqive të tjera, duke përfshirë edhe Rusinë. /KlanMacedonia/