Rushid Demirovski nga Berova pak ditë është liruar nga burgu pasi që kishte vjedhur dy krahë me dru për të ngrohur 7 fëmijët e tij. Ai tha se është detyruar që për disa javë ta vuajë dënimin në burgun e Shtipit, pasi që nuk ka pasur para për të paguar.
Rushidi thotë se drutë i ka prerë në një pyll të afërt, sepse nuk ka pasur para të blejë. Edhe ate sipas tij, sasia ka qenë nja dy krah dru që i ka bartë me një karrocë të vogël.
“Ishte ftohtë dhe 7 fëmijët nuk e duronin të ftohtin. U detyrova të shkojë në mal dhe të marrë ca dru. Por gjatë kthimit më ndaloi një polic dhe më shkroi gjobë prej 4 mijë denarëve. Më pas shkova në gjyq, sepse nuk pata para për të pagu dënimin. Dhe në mungesë të pagesës më morën dhe më çuan në burg që në këtë mënyrë të kompensojë denimin”, ka shpjeguar për TV
Star, Rushid Demirovski.
Ai thotë të njejtën gjë do ta bëj prap, vetëm e vetëm për të ngrohur fëmijët, sepse me ndihmën sociale minimale nuk mund të bëj asgjë, as edhe të ushqehet. Kjo familje 9 anëtarëshe ka probleme të mëdha, pasi që një pjesë e fëmijëve kanë problem shëndetësore që kërkojnë kujdes preventiv. Ndërsa, nuk pranon as para në formë ndihme për fëmijën e tretë.
Kjo familje nuk është përfshirë as në kuzhinën popullore falas të qytetit, që shfrytëzohet nga 31 familje. Nga Qendra për Punë Sociale në Berovë thonë se për momentin nuk mund ta përfshijnë këtë familje, por do të shqyrtojnë një mundësi të tillë. (INA)