
Vazhdimi i bisedave për formimin e Qeverisë dhe situata e paqartë për mandatarin e ardhshëm ka nxitur edhe ish-ndërmjetësuesin Piter Vanhaute, që të vazhdojë me leksionet e tij ndaj politikanëve në Maqedoni, në lidhje me demokracinë dhe funksionimin e shtetit normal. Në rrjetet sociale Vanhaute dje ka shkruar se Parlamenti është institucioni kyç në demokraci. Ai ka kritikuar udhëheqjen e seancës konstituive nga ish-kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski. Ish-ndërmjetësuesi Vanhaute potencoi se Parlamenti dhe deputetët e ri, të cilës do partie që janë duhet të jenë kontrollues i Qeverisë dhe të mos lejojnë të ndodhë e kundërta. Ai madje potencoi rëndësinë e fillimit sa më të shpejtë të punës së Kuvendit.
“E rëndësishme është që parlamenti të fillojë me punë sa më shpejtë që është e mundur. Në rastin e Maqedonisë, ka një numër të madh të detyrave para: zgjerimi i mandatit të Prokurorirsë Speciale, vlerësimi i zgjedhjeve, zhvillimi i një plani gjithëpërfshirës të veprimit për të luftuar ndotjen e ajrit në Shkup dhe në qytete tjera, hetimi i ri në skandalin e përgjimit, një rishikim i plotë i lirisë së mediave,…”, ka shkruar Vanhaute.
Në shkrimin e tij, ish-ndërmjetësuesi Pitet Vanhaute ka shkruar edhe për atë se si duhet të veprojë presidenti Gjorge Ivanov në lidhje me mandatarin për formimin e Qeverisë së re.
“Dhe kryetari? Shpresojmë që do të marrë një vendim të mençur për kandidatin më të përshtatshëm të formimit të Qeverisë së re. Kjo është një përgjegjësi e rëndësishme për të cilën ai duhet të ketë parasysh se ç’do kandidat që ai do të propozojë nuk do të shkatërrojë atë çfarë ka mbetur nga demokracia në Maqedoni, por duhet të angazhohet në mënyrë aktive që të formojë Qeveri në nivelin e duhur për të sjell përsëri demokracinë e vërtetë, me politikanë më të përgjegjshëm, jo një Parlament i cili është kukull e atyre në pushtet, me një gjyqësor të pavarur, përfshirë këtu gjykatat, Prokurorinë dhe Gjykatën Kushtetuese, të pavarur nga ata që janë në pushtet”, qëndron më tej në shkrimin e Vanhautes.
Në fund të shkrimit të tij, ish-ndërmjetësuesi Vanhaute sërish dërgon apel për parlamentarët e rinj, ai porosit ata që të jenë sytë dhe veshët e qytetarëve, ta detyrojnë Qeverinë për llogaridhënie, të kontrollojnë aktivitetin e tyre dhe të sigurohen se Qeveria është në shërbim të qytetarëve, sepse kjo arsyeja e veprimit të demokracisë.
Mefail Ismaili /SHENJA/
Vanhaute jep leksione për demokracinë në Maqedoni by tvshenjaofficial