Me nisjen e vitit të ri shkollor, kujdesi shëndetësor i fëmijëve vendoset në plan të parë. Një nga kushtet kryesore për regjistrimin në institucionet arsimore mbetet imunizimi i plotë i filloristëve. Fisnike Pustina, psikologe në shkollën fillore “ Kongresi i Manastirit” thotë se viteve të fundit është rritur ndërgjegjësimi i prindërve për ti vaksinuar fëmijët.
“Kemi bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet që janë të shëndetësisë dhe mundohemi t’i informojmë prindërit për rëndësinë e vaksinimit të fëmijëve të tyre, pasi këtu në shkollë ato ballafaqohen me një grup më të madh, jemi një komunitet pak më i gjerë edhe e dimë se sëmundjet ngjitëse infektive janë më të predispozuar të kalojnë nëpërmjet tyre. Kështu që vaksinat janë një metodë ose një mënyrë për mbrojtjen e tyre për shëndetin e tyre, që të rriten sa më të shëndetshëm”, deklaroi Fisnike Pustina, psikologe në shkollën “Kongresi i Manastirit”.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës thotë se imunizimi do të vazhdojë të mbetet kusht, duke përjashtuar nxënësit që kanë probleme shëndetësore.
“Në këto momente po, vazhdon të mbetet e detyrueshme, përveç atyre fëmijëve që kanë një justifikim mjekësor për mos u vaksinuar”, tha Vesna Jasnevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Mjekët vazhdimisht apelojnë se çdo vonesë apo refuzim i vaksinimit mund të hapë rrugën për rikthimin e sëmundjeve të rrezikshme. Mosvaksinimi i fëmijëve mund të jetë shkak që viruset të shpërthejnë më lehtë dhe vështirë të parandalohen. Shpesh ndodh që prindërit refuzojnë të vaksinojnë fëmijët e tyre, duke u ndikuar nga dezinformatat, të cilat shpesh përhapin frikë të pabazuar dhe keqkuptime për sigurinë dhe efektivitetin e vaksinave, duke e vendosur kështu shëndetin e fëmijëve të tyre në rrezik. /Alsat.mk