Shkencëtarët thonë se hapi i ardhshëm në luftën ndaj kancerit mund të jetë një vaksinë, jo për ta parandaluar sëmundjen, por për të zvogëluar masën e tumorit.
Pas disa dekadash suksesi të kufizuar, tashmë shkencëtarët thonë se puna kërkimore është në një pikë kthese dhe se do të shtohet prodhimi i vaksinave gjatë pesë viteve të ardhshme.
Todd Pieper nga qyteti Siatëll, po merr pjesë në një provë klinike në Shtetet e Bashkuara për një vaksinë që tkurr kancerin e mushkërive.
Kanceri në trupin e 56-vjeçarit është përhapur në tru dhe zoti Pieper është duke marrë pjesë me vendosmëri në këtë punë kërkimore që mund të ndryshojë rrënjësisht trajtimin mjekësor që do t’u jepet pacientëve në të ardhmen.
“Në fund të fundit nuk kam ç’humbas më dhe vetëm mund të përfitoj për veten dhe për të tjerët në të ardhmen. Nuk jam shumë në dijeni se si shkon studimi, apo çfarë ecurie ka në prova, por mendoj se mund të jetë vetëm pozitive”, thotë zoti Pieper.
Ai ka marrë tashmë vaksinën e parë kundër kancerit, që nuk vepron si vaksinat tradicionale që parandalojnë sëmundjet. Këto vaksina janë injeksione që zvogëlojnë masën e tumorit dhe ia ndalojnë kancerit rikthimin.
Që një vaksinë të ketë sukses, ajo duhet t’u mësojë qelizave T të trupit që ta identifikojnë kancerin si të rrezikshëm. Pasi përgatiten me këtë informacion, qelizat T futen në kërkim të rrezikut në gjithë trupin e njeriut, thonë shkencëtarët në Institutin për Vaksinën e Kancerit në Universitetin e Uashingtonit në Siatëll.
Ekziston mundësia edhe për studimin së shpejti të vaksinave të tjera për parandalimin e kancerit, të ngjashme me vaksinat ndaj hepatitit B që parandalojnë kancerin e mëlçisë. Të tjerë studiues po prodhojnë vaksina për të parandaluar kancerin tek personat me masa para-kancerogjene në mushkëri dhe sëmundje të tjera të trashëguara që rrisin rrezikun për shfaqjen e kancerit.
Kompanitë farmaceutike Moderna dhe Merck kanë bashkuar forcat për të prodhuar një vaksinë të llojit mRNA për pacientët me melanomë. Vaksinat prodhohen sipas veçorive të çdo pacienti, bazuar në mutacionet në masën kancerogjene. Një vaksinë e tillë mund ta përgatisë sistemin imunitar që të identifikojë posaçërisht kancerin në fjalë dhe t’i vrasë qelizat kancerogjene, por këto vaksina do të jenë të kushtueshme.
Ndërsa vaksinat që po prodhohen në Universitetin e Uashingtonit në Siatëll janë projektuar për të funksionuar për shumë pacientë, dhe jo vetëm për një person. Dr. Nora Disis, nga Instituti për Vaksinën ndaj Kancerit në këtë universitet, mendon se kjo do të jetë dekada e vaksinave.
“Kam shumë besim se në 5 – 8 vitet e ardhshme, do të kemi miratimin e më shumë se një vaksine për kancerin, që mund të përdoret për të parandaluar rishfaqjen e sëmundjes”, thotë dr. Disis.
Përparimi në punën kërkimore për vaksinat që mund të përdoren si kurë ka qenë i vështirë. Në shumë raste kanceri ka mundur sistemin e dobësuar imunitar të pacientëve, por studiuesit thonë se edhe dështimet u kanë mësuar shumë gjëra.
Jamie Crase ishte ndër pacientet e para që u injektua me vaksinën për kancerin e vezoreve në një studim që filloi 11 vite më parë. Ajo ishte diagnostikuar me kancer të avancuar të vezoreve që kur ishte 34 vjeçe dhe nuk kishte ende fëmijë. Zonja Crase mendoi se do të vdiste në moshë të re dhe filloi të bëjë plane se kujt t’ia linte sendet e saj pas vdekjes.
“Filluam të caktonim se ku do të shkonin të gjitha gjërat që ishin të rëndësishme. Është e çuditshme po ta mendosh, por duke qenë se nuk kishim fëmijë, pyesnim veten: Ku do të shkojnë bizhuteritë e mia? Kujt do t’ja jap këtë? Këtë gjerdan p.sh. doja që t’i jepej shoqes time më të mirë, që kur kemi qenë në klasë të katërt. Ajo është njeriu im më i afërt”, tregon zonja Crase.
Tashmë ajo nuk e di me siguri nëse ishte vaksina që e ndihmoi, por nuk ka asnjë dyshim për pjesëmarrjen në provën klinike.
“Nëse kjo do të shndërrohej në diçka që mund t’u jepej grave përpara se t’u shfaqej kanceri, përse të mos merrja pjesë në prova? Apo nëse mund t’u injektohej grave pasi janë diagnostikuar me kancer për t’ua forcuar sistemin imunitar që të luftojnë kancerin? Përse të mos bëhesha pjesë e një gjëje të tillë? Jam ende gjallë. Mundem të vazhdoj të ndihmoj. Unë nuk kam fëmijë. Kështu që mund të lë pas këtë trashëgimi”, thotë zonja Crase./ VOA