28 Shkurt
Parlamenti Evropian bëri thirrje për formimin e shpejtë të Qeverisë dhe kthimin e Maqedonisë në rrugën evropiane. Komiteti për punë të jashtme i cili miratoi projekt rezolutën për Maqedoninë kërkoi nga autoritetet e Shkupit përkushtim maksimal për zbatimin e reformave urgjente.
Është e rëndësisë kyçe që Maqedonia të ketë qeveri të re me mbështetje solide në parlament. Pas dështimit të parë për formimin e qeverisë, presidenti në bazë të kushtetutës së vendit dhe praktikave demokratike duhet të ia jap mandatin partisë e cila mund ta nxjerr vendin nga kriza politike- deklaroi Ivo Vajgëll, raportuesi për Maqedoninë i PE-së.
Ashtu si Komisioni edhe Parlamenti Evropian kushtëzon Maqedoninë me zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Përzhinës dhe reformave urgjente prioritare në mënyrë që të japë pëlqimin për çeljen e negociatave. Eurodeputetët kritikuan vendin se vijon të shënojë regres në reformat në drejtësi, ndërkohë dënuan ndërhyrjet politike në sistemin gjyqësor dhe obstruksionet ndaj punës së Prokurorisë Speciale.
Eurodeputetët nënvizuan nevojën për implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit si dhe sigurimin e buxhetit të nevojshëm për zbatimin e saj. Ata gjithashtu theksuan se vendi duhet të përshpejtojë reformat në luftën kundër korrupsionit, respektimin e të drejtave të njeriut, çështjet e brendshme si dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Porositë e Brukselit rreth situatës politike në vend, pritet t’ua përcjell krerëve shtetëror dhe liderëve politik edhe shefja e diplomacisë evropiane Federika Mogerini gjatë vizitës së saj në Shkup të enjten.